Kulturë

Filarmonia e Kosovës mban koncertin tradicional të fundvitit

Foto: Arben Llapashtica

Filarmonia e Kosovës do të mbajë sonte koncertin tradicional, i cili do të organizohet në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, koncert ky që do të përmbyll aktivitetet e këtij viti.

Siç tha dje në një konferencë për media Drejtori i Filarmonisë, Baki Jashari, në këtë koncert do të jenë dy shfaqje koncertale, njëra në orën 17:00 e tjetra në orën 20:00, por që as këto dy orare nuk u mundësojnë të gjithë të interesuarve për muzikë klasike t’i shohin ato, për shkak të sallës së vogël ku ato mbahen.

Edhe sivjet, koncerti tradicional i vitit të ri do të jetë me vepra të popullarizuara të literaturës operistike.

Jashari bëri të ditur se do të prezantohen një varg solistësh vendorë dhe nga Shqipëria.

Filarmonia e Kosovës gjatë vitit 2019 ka realizuar gjithsej 20 projekte koncertale që janë realizuar nga orkestra simfonike, kori i Filarmonisë në koncerte vetjake, dhe disa projekte vokalo-instrumentale të përbashkëta me solistë vokal nga rajoni dhe bota.