UNESCO e ka hequr nga lista e saj e trashëgimisë një karnaval vjetor që mbahet në qytetin belg të Aalstit për shkak të akuzave të vazhdueshme për anti-semitizëm.
Në një veprim të paparë, Komiteti Ndërqeveritar i UNESCO-s për ruajtjen e trashëgimisë së paprekshme kulturore tha se po e tërhiqte karnavalin “për shkak të përsëritjes së vazhdueshme të përfaqësimeve raciste dhe antisemitike” në këtë ngjarje.
Karnavali i Aalstit, në rajonin holandisht-folës të Flandersit, fillimisht ishte futur në listën e trashëgimisë së paprekshme kulturore të njerëzimit UNESCO-s më 2010. Por prezenca e një parade që karakterizon hebrenjtë ortodoksë me hunda në formë grepi dhe të ulur mbi qese me ar ka zemëruar komunitetin hebre në Belgjikë që përbëhet nga rreth 40,000 persona, transmeton “The Guardian” shkrimin e AFP-së.
Duke e parashikuar vendimin e UNESCO-s në takimin e saj në kryeqytetin kolumbian, Bogota, kryebashkiaku i Aalstit, Christoph D’Haese, tha se heq qytetin e tij nga kjo listë para se t’i hiqej zyrtarisht përcaktimi.
“Qytetarët e Aalstit kanë përjetuar akuza groteske”, tha kryebashkiaku në një deklaratë për media dërguar “TV Oost Nieuws”, sipas agjencisë së lajmeve “Belga”. “Nuk jemi as antisemitikë e as racistë. Të gjithë ata që mbështesin këtë janë duke shkelur mirëbesimin tonë. Aalsti do të mbetet gjithmonë kryeqytet i talljeve dhe satirës”, transmeton Koha.net.
Kreu i Shoqatës Evropiane të Hebrenjve, me bazë në Bruksel, tha se zyrtarët e Aalstit “po kërcejnë ende pa i shtyrë”.
“Pavarësisht kritikave të shumta, pavarësisht imazheve të qarta antisemitike, pavarësisht mundësisë që së paku të pranojnë gabimet dhe lëndimin e shkaktuar, kryebashkiaku i Aalsit vazhdimisht ka qenë mospërfillës dhe tallës”, ka thënë presidenti i EJA-s, Menachem Margolin.
UNESCO tha në mars se do të jetë “vigjilent dhe i pakompromis në lidhje me ngjarje të tilla”.
Një deklaratë e lëshuar nga takimi në Bogota në lidhje me vendimin, tha: “UNESCO i qëndron prapa parimeve të veta themeltare të dinjitetit, barazisë dhe respektit të ndërsjellë në mes njerëzish dhe dënon të gjitha format e racizmit, antisemitizmit dhe ksenofobisë”.
Sipas AFP-së, karnavali i Aalstit u hoq nga lista e UNESCO-s të premten në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota. Ky organ vendosi të parada ishte antisemitike.
“Ata mund të vazhdojnë me festivalin. Nuk po e kundërshtojmë atë”, tha Ernesto Ottone, ndihmës drejtori i përgjithshëm për kulturë i UNESCO-s. “Ajo që ne s’dëshirojmë është që brendi i UNESCO-s të jetë në një festival që për dikë mund të jetë humor, por për ne është tallje me disa komunitete”.