Prishtinë, 13 dhjetor – Kishte lindur në Tropojë, por të gjitha angazhimet e tij jetësore do të zinin vend në Kosovë. Madje, në cilësinë e sekretarit Krahinor të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, kishte shtyrë përpara bashkëpunimin mbarëkombëtar duke dendësuar lidhjet me Shqipërinë e asokohshme.
Me emrin e Ymer Jakës (1937-2009) nuk janë të lidhura vetëm angazhimet në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës në Kosovë. Fryt i pasionit të tij janë edhe dy monografi për Skënderbeun, që qëmtojnë burimet dhe letërsinë frënge për kryeheroin mesjetar të shqiptarëve. As kontributet e tij prej përkthyesi nuk mbesin prapa: ka shqipëruar gjithë përkushtim letrarë, mendimtarë e filozofë francezë, si André Gide, René Descartes, Voltaire, Alexis de Tocqueville e Jean-Paul Sartre.
Në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, Dega e Letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të enjten, ka organizuar tryezën “Veprimtaria shkencore dhe intelektuale e Ymer Jakës”. Studiues e njohës të tij kanë evokuar momente nga veprimtaria e gjatë e Jakës, ndërkohë që janë lexuar edhe kumtesa të studiuesve, si Kasem Biçoku, Remzi Përnaska dhe arbëreshit Zef Chiaramonte.
E pranishme në tryezë ishte edhe 79-vjeçarja, Tefta Cami, e cila në vitet 1976-1987 kishte qenë ministre e Arsimit dhe e Kulturës të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
“Çdo individ mban përgjegjësi dhe vlerësohet për periudhën që punon në kuadër të sistemit politiko-shoqëror të kohës”, ka nisur fjalën e saj teksa e ka quajtur Jakën “vëlla, mik e bashkëluftëtar”.
“Unë kam qenë me fat që, si ministre e Arsimit dhe e Kulturës, të isha pjesë e projektit të madh kombëtar të Shqipërisë për afrimin e shqiptarëve këndej Drinit me atdheun amë”, ka thënë Cami. “Ymer Jaka sintetizonte cilësitë e një atdhetari të kohës që kishte një strategji të qartë e në interes të të gjithë shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi. Preokupimi i tij kryesor ishte që të shfrytëzoheshin mundësitë e asokohshme, brenda kuadrit politik e ligjor, për t’i kontribuar çështjes kombëtare”.
Fazli Syla, ish-drejtor i Institutit Albanologjik, ka vlerësuar praktikën e shënimit të përvjetorëve të punonjësve shkencorë të këtij instituti. Ka thënë se Ymer Jaka, si punonjës i dikurshëm i Institutit Albanologjik, i takon brezit të atyre që vepruan në kohë të errëta.
Ai ka vënë në spikamë edhe angazhimin e Jakës në organizimin e Seminarit të Kulturës Shqiptare për të Huaj, duke qenë një prej sekretarëve të parë të këtij aktiviteti albanologjik.
Institutin Albanologjik, ka trajtuar kontributet e Jakës si përkthyes.
I lindur më 24 tetor 1937 në Tropojë, Ymer Jaka mbaroi shkollën fillore dhe Gjimnazin në Gjakovë, përderisa Normalen e kreu në Prishtinë. Kishte punuar një kohë si mësues në Deçan, kurse në vitet ’60 nisi studimet për letërsi frënge në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Pos punës si profesor në Gjimnazin e Gjakovës, ai kishte punuar edhe në Radio Prishtinë si bashkëpunëtor i një emisioni letrar. Në vitet 1968-1970, ai kishte qëndruar në Paris, si bursist i Qeverisë së Francës, ku bëri kërkime për përgatitjen e tezës së doktoraturës me temën “Skënderbeu në letërsinë frënge”, të cilën e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977. Në krijimtarinë e tij prej studiuesi përfshihen veprat “Lidhjet letrare shqiptaro-frënge (1979)”, “Skënderbeu në letërsinë frënge” (1990) dhe “Skënderbeu në historiografinë frënge” (2001), përderisa ka meritën që e solli për herë të parë nga frëngjishtja në shqip romanin “Bardha e Temalit” të Pashko Vasës.
U shkarkua nga funksioni i sekretarit Krahinor të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës në vitin 1981, pasi u akuzua nga pushteti i asokohshëm si nacionalist e njeri me koncepte liberale.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)