Kulturë

“Mos” me zërin që synon të thyejë paragjykimet ndaj gruas

Prishtinë, 12 dhjetor – “Çika e nanës, amanet për s’gjalli po ta la, runa ftyrën, derën e nderin...”, shkruhet në rreshtin e parë të tablosë së formatit të madh ngjyrë ari. Disa fjali që dalin të jenë këshilla të një nëne për vajzën para martesës, Norë Potera shpesh i ka mbuluar me ngjyrë.

Menjëherë merret vesh se artistja nëpërmjet tablosë ka bërë thirrje që të shuhet kjo traditë. Njëjtë me penelin e saj ka vepruar edhe në tablonë tjetër që është nuancë e së parës, por shkruhen vargje këngësh të kanagjeqeve. “Për çka i kemi vajzat” është një ndër veprat e ekspozitës “Mos” të artisteve Nora Potera e Ardhmerie Bregovina. Dyshja në Galerinë e Fakultetit të Arteve, nëpërmjet veprave të tyre, e fut publikun në një botë patriarkale e njëkohësisht edhe bën thirrje për shuarjen e këtij mentaliteti. Një piramidë e përmbysur në sallën e parë të Galerisë bën thirrje për rrotullim konceptesh.

Dyshja në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma me kuratore Blera Hoçian edhe përmes videove ngre pyetje e paraqet dëshmi, midis të tjerash, edhe për trauma të fëmijërisë e paragjykime që burojnë nga mungesa e informacionit. Vetë titulli i ekspozitës “Mos” ka ardhur si derivat i mohimit të të drejtave të grave dhe vajzave.

Norë Potera në një video të titulluar “Frika ndaj procesit” vjen me një rrëfim e pamje paksa të pakuptimtë. Por ajo fut të pranishmit në botën e pakuptimtë të paragjykimeve.

Sipas Poterës, “E paprekur” është një fjali që u drejtohet shpesh vajzave dhe lidhet me virgjërinë, moralin e tema të tjera. “Kjo për mua shpesh është e pakuptimtë për shkak se një vajzë sipas kësaj nuk ka të drejtë të vendosë për trupin e saj, dhe të tjerët janë në gjendje që ta gjykojnë për vendimet që ajo i merr për veten”, ka thënë ajo.

“Aktivistët e Rinisë për Ndryshim”, të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, e menaxhuar nga “Stichting art.1” dhe implementuar nga “CEL Kosova”, “YIHR” dhe “PriFest”.

Kolegia e saj, Ardhmerie Bregovina ka zgjedhur që nëpërmjet videos “H12-15” të shpalosë një traumë të fëmijërisë. Gjendja e saj si trevjeçare, refugjate në Maqedoni, përshkruhet nga rrëfimi i së ëmës. Pamjet në shumicën e kohës paraqesin një tufë delesh në bjeshkë, përderisa e ëma e saj rrëfen për përjetimet e së bijës.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)