Kulturë

Promovimi në Prishtinë i librit “Unë jam Anemonë” vjen me inskenim të rrëfimeve

Gjashtë rrëfime, që u dëgjuan në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, janë pjesë e librit “Unë jam Anemonë”.

Botimi përmbledh 25 histori të grave dhe dëshminë e një burri të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gazetarja Salie Gajtani Osmankaq dhe pjesëtarë të organizatës joqeveritare “Medica Gjakova” kanë mbledhur dëshmitë e pathëna të atyre që kanë përjetuar dhunën në vitet 1998-1999.

Gjatë promovimit të librit, disa copëza rrëfimesh që sjell “Unë jam Anemonë” u interpretuan përmes zërit të aktorëve.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se libri sjell kërkesën e viktimave të dhunës për drejtësi.

Botimi i librit “Unë jam Anemone” është një kontribut në kuadër të fushatës “Bëhu zëri im” dhe 20-vjetorit të bashkëpunimit dhe miqësisë kosovaro-gjermane.