Princesha Elia Zaharia - Zogu ka qenë e frymëzuar nga figura e Mbretëreshës Geraldinë që në momentet e para që ishte bërë pjesë e familjes së Princ Lekës. Ajo kishte hulumtuar nëpër kujtimet e shkruara të Mbretëreshës, arkivat familjare e biografitë e autorizuara, shkruan sot Koha Ditore.
Pikërisht kjo magjepsje për Mbretëreshën kishte bërë që princesha e sotme e Shqipërisë të shkruante për jetën dhe fëmijërinë e Geraldinës si një konteshë në Perandorinë Austro-Hungareze e deri për martesën e saj me Mbretin Zog.
“Trëndafili i Bardhë” titullohet përralla për fëmijë që ndërthur elemente të realitetit dhe trillimit.
“Mbretëresha në të gjithë këto vite, edhe gjatë viteve të regjimit të vështirë komunist dhe pas regjimit, është një personazh e cila nuk është cenuar asnjëherë. Figura e saj është ruajtur e pasur dhe në njëfarë mënyrë në vendin tonë është një simbol uniteti dhe pajtimi”, thotë Zaharia - Zogu. Nuk i fsheh dashurinë dhe magjepsjen që ka për Mbretëreshën.
“Ajo që Mbretëresha transmetonte ishte një dashuri shumë e madhe për shqiptarët dhe për vendin dhe nuk kishte bërë kurrë dallim e nuk kishte pasur kurrë urrejtje me gjithë sfidat që jeta i kishte vënë përpara”, shton autorja e librit.
Virtytet që Mbretëresha ka pasur thotë se e kanë bërë atë një personazh të denjë për të ardhur edhe në gjuhën e fëmijëve në formë përralle.
“Fëmijët përmes përrallës do të mësojnë shumë për Shqipërinë në vitet ’20 dhe ’30. Por edhe për Mbretëreshën Geraldinë, këtë personazh historik, real dhe të tyrin. Pasi që historia e saj na përket të gjithëve si shqiptarë, pra është diçka e jona”, thotë ajo.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)