Kulturë

“Shooting the Mafia” për fotografen e guximshme

Letizia Battaglia ende e mban mend kufomën e parë që fotografoi: burrin e shtrirë nën pemën e një ulliri diku në viset rurale të Sicilisë. Shkrepja mbetet e paharrueshme, tek bëhet akoma më e tillë me thellësinë e hollësive që ia zbulon rrëfimi i fshehur prapa tij: burri i vdekur nuk kishte këpucë në këmbë, polici që bën rojë afër kufomës i hedh një shikim të ngrirë, gjethet e ullirit varen krejt deri në brezin e trupit. Fakti se ai ishte një mafioz i vrarë në një zënkë lokale, insiston Battaglia, nuk vërehet gjëkundi, shkruan sot Koha Ditore.

“Të gjithë”, thotë ajo qetazi, “të barabartë janë kur vdesin”.

Tani 84-vjeçare, Battaglia është ikonë e qytetit të saj të lindjes, është gruaja që shkrepi vdekjen si asnjë fotograf tjetër nëpër ditët më të errëta të viteve ’70 e ’80. Fotografitë e saj janë dëshmi që ndikuan që mafia të mbahej përgjegjëse para drejtësisë: dy prej fotografive të saj ishin faktet thelbësore që e dëshmuan lidhjen e ish-kryeministrit italian, Giulip Andreotti, me krimin e organizuar pasi që shfaqnin pamjet e tij me një pjesëtar të rëndësishëm të mafisë, Nino Salvo, të cilin ai mohonte ta njihte.

Jeta dhe shkrepjet e saj tani janë temë qendrore e një filmi të ri të jashtëzakonshëm dokumentar.

“Fotografitë e Letizias konfrontuan mafinë”, thotë Kim Longinotto, regjisore e filmit. “Ajo u ballafaqua me frikën që ata ndollën. Refuzoi të frikësohej në një kohë kur kjo gjë mund t’i kushtonte me jetë”. Duke i përdorur fotografitë e Battaglias bashkë me pamjet nga lajmet e kohës dhe skenat nga filmat klasikë-realistë italianë të formatit bardhezi, “Shooting the Mafia” është, mes tjerash, një kundërpërgjigje e qëndrueshme ndaj portretizimeve romantike të Hollywoodit për mafinë.

“Ata e quanin veten burra të nderit”, thotë Longinotto. “Por, siç tregojnë fotografitë, nuk kishte asgjë të ndershme në atë që ata bënë. Shumë prej atyre që ata vranë ishin aktivistë të rinj, pjesëtarë të unioneve të tregtisë, persona përnjëmend të ndershëm që sfidonin politikanët e korruptuar”.

Në një sekuencë goditëse prej viteve ‘80, Battaglia dhe miqtë e saj organizojnë një ekspozitë të atypëratyshme me fotografitë e saj në fshatin Corleone, një epiqendër mafioze që ka dhënë disa bosë mafie. Banorët lokalë fillimisht i shikojnë fotografitë vetëm nga kureshtja e pastaj stepen pa bërë zë. “Ishte akt i trimërisë dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme”, tha Longinotto.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)