Kulturë

Promovohet në Shkup libri "Gjenocidi ndaj romëve në Luftën e Dytë Botërore"

Descriptive Text

Qendra kulturore mediatike rome "Barikanipe" ka promovuar studimin shkencor të autores Mirdita Saliu me titullin "Gjenocidi ndaj romëve në Luftën e Dytë Botërore".

Autorja Mirdita Saliu në prononcim për AA thotë se ky është studimi i parë shkencor në Republikën e Maqedonisë së Veriut me këtë tematikë. Ajo thekson se studimi ka të bëjë me një periudhë diskursive, Luftën e Dytë Botërore, dhe me një temë "edhe më diskursive, gjenocidin ndaj romëve në Luftën e Dytë Botërore".

"Për gjenocidin ndaj romëve në Maqedoninë e Veriut pothuajse nuk dihet fare dhe ky studim paraqet një hap të parë për njoftimin e opinionit, veçanërisht të rinjve, me atë çfarë ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Libri ka të dhëna të shumta që janë fituar nga më shumë hulumtime, hulumtime të mëhershme të teoricienëve dhe shkencëtarëve të mëhershëm, nga arkivat e muzeve gjermane dhe nga muzeu i Aushvicit", tha Saliu.

Ajo gjithashtu theksoi se studimi shkencor përmban edhe dëshmi për atë se çfarë ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shtuar se në rrethet shkencore ka pak mbështetës të mendimit se edhe romët janë gjithashtu viktimë e gjenocidit të kryer.

"Rekomandoj që të gjithë ata që do të arrijnë deri tek ky studim shkencor, ta lexojnë, të shohin të dhënat, jo vetëm pse ai është shkruar dhe është i pari i këtij lloji në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe të njihen me atë se çfarë ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, respektivisht çfarë mund të sjellë çdo luftë në çdo hapësirë, në çdo kohë, në mënyrë që të parandalohen ato gjëra që kanë ndodhur në Luftën e Dytë Botërore", tha Saliu.

Ajo theksoi se studimi është i dedikuar drejtpërdrejtë për romët, por shtoi se ata nuk mund të përjashtohen nga hebrenjtë, të cilët, siç thotë ajo, gjithashtu janë vrarë në mënyrë masive. Saliu gjithashtu sqaron se studimi shkencor flet edhe për dimensionin gjinor të gjenocidit.

Studimi shkencor është publikuar në gjuhën maqedonase.