Kulturë

“Rojet e mjegullës” rikthehet me simbolet e lirisë artistike

“Rojet e mjegullës” rikthehet me simbolet e lirisë artistike

Prishtinë, 6 dhjetor – Një gjok i bardhë që ka marrë flakë, plot me hingëllima galopon në një grunajë. Skena pasuese paraqet fshatarë që përpiqen t’i shuajnë flakët që tashmë kanë përcëlluar një pjesë të grurit. Ky është vetëm një nga simbolet e shumta që përshkojnë filmin “Rojet e mjegullës” i shfaqur premierë këtu e 31 vjet më parë. Regjisori i tij, Isa Qosja ishte njëri prej përfaqësuesve të brezit të ri kineast në Kosovë që po ndikohej nga e ashtuquajtura “Valë e zezë”.

Bëhet fjalë për rrymën që risoi kinematografinë jugosllave gjatë viteve '60 e '70. Ishte koha kur filmbërës me nam si Dushan Makavejev e Zhivojin Pavloviq po nismonin një koncept të ri në kinematografinë e asokohshme. Në zemër të krijimeve të tyre kineaste qëndronte dëshira për të rritur lirinë e shprehjes artistike, për të reformuar gjuhën kinematike, por edhe për të paraqitur anën e errët të shpirtit njerëzor. E me këtë kritikohej gjithnjë e më shpesh politika e shtetit ose atë çfarë një kritik i ditëve e quan “stalinizmi i mbetur” në ish-Jugosllavi.