Kulturë

Elbenita Kajtazi çon në Hamburg “Agimet Shqiptare”

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi zgjodhi këngën “Agimet shqiptare”, për t’u prezantuar në skenën e Operës së Hamburgut.

Me duartrokitje të shumta u prit vepra e njohur shqiptare nga audienca gjermane të shtunën mbrëma, raporton Express në KTV.

Sopranoja me famë botërore, e interpretoi këtë këngë pas tërmetit që tronditi Shqipërinë javën e kaluar.

Ajo kishte interpretuar edhe më parë në gjuhën shqipe në shtetin gjerman.

Kajtazi në vitin 2014, në skenën e operës së Berlinit, kishte kënduar në shqip veprën “Baresha” të kompozitorit Rexho Mulliqi dhe “Ma fal atë buzëqeshje” të kompozitores Pranvera Badivuku.

Sopranoja nga Kosova, ka interpretuar veprat e njohura botërore në skenat më prestigjioze.

Kajtazi është zgjedhur të interpretojë përkrah emrave të mëdhenj në 100-vjetorin e Festivalit të Salzburgut, që do të shënohet me koncert në verën e vitit 2020.

Zëri i sopranos nga Kosova është vlerësuar si qiellor, verbues dhe i elektrizuar, i fuqishëm dhe prekës. Kajtazi është fituese e çmimeve të shumta në gara operistike.