Kulturë

“Çfarë po ndodh me nënën natyrë?” përmes artit zbërthen situatën ekologjike

Descriptive Text

“Çfarë po ndodh me nënën natyrë?”, është pyetja që një grup i të rinjve nga Mitrovica ia kanë bërë vetes, duke qenë pjesë e projektit që ka nisur në verë nga organizata “Hope Box” në Kosovë.

Përmes vizatimeve të ndryshme, ata kanë dashur që të tregojnë se ka ardhur koha për të reaguar në mbrojtje të tokës. Për ta bërë këtë mesazh më të fuqishëm, kanë realizuar edhe një film të shkurtër në kuadër të projektit që për titull mban pyetjen së cilës i janë përgjigjur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gresa Tërbunja, Gentiana Morina dhe Gzim Zhillivoda janë shndërruar në regjisorë në mënyrë që të bartin mesazhin se “koha po mbaron”. E gjitha kjo punë është prezantuar të dielën përmes një ekspozite interaktive në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Një mesazh në shishe, që zbulohet vetëm në fund, kështu kanë menduar që ta shtrijnë epilogun e filmit të tyre të shkurtër, tre regjisorët. Shishja udhëton nga një vend në një tjetër, të gjithë ata që e marrin atë e pranojnë mesazhin se “koha po mbaron”. E njëjta shishe vizitoi edhe Galerinë Kombëtare të Kosovës. U gjend nga vizitorët që kishin zënë vend për të shikuar filmin. Si sekuenca të shkurtra për të vërtetuar mesazhin gjatë filmit shpaloseshin edhe fakte shkencore. Filmi u përmbyll me mesazhe një minutëshe, ku u tregua rëndësia e nënës natyrë dhe lidhja me të. Mesazhi është i qartë, këtë e thotë edhe 18-vjeçarja Gentiana Morina, pjesë e treshes së regjisorëve.

“Filmi ynë i shkurtër ‘Çfarë po ndodh me nënën natyrë?’, tregon se koha po mbaron dhe se ne duhet që të jemi të kujdesshëm. Kemi dashur të tregojmë që toka është e vetmja shtëpi që e kemi dhe duhet të kujdesemi më shumë për të”, ka thënë ajo.

Ka treguar se filmi 8-minutësh, i cili ishte realizuar gjatë muajit shtator, ka udhëtuar edhe në Amsterdam. Është paraqitur në kuadër të organizimeve për “Museum Night”, që filluan në ora 19:00 më 2 nëntor e përfunduan të nesërmen në 02:00 të mëngjesit. Ani pse ka pasur mjaft punë, Morina ka thënë se ka qenë një eksperiencë që nuk do të harrohet.

Përveç filmit, shfaqja e të cilit hapi këtë ekspozitë në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në katin e sipërm ishin paraqitur edhe disa punime. Një hapësirë të madhe kanë zënë katër punime në të cilat janë vizatuar katër matës të kohës. Rëra mungonte në këta matës, ani pse të gjithë tregonin se koha po ecën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)