Kulturë

“Labyrinth” me muzikantin që e humb ritmin e jetës

“Çfarë nëse përgjigjen nuk e marr kurrë?”, pyetet Boratin Bey, protagonisti i novelës së shkurtër dhe provokative të autorit turk, Burhan Somnez. Kjo pyetje, që shtrohet vazhdimisht në këtë novelë të quajtur “Labyrinth”, ka pasoja të rënda për të dhe për ne.

Boratinin, banor i Stambollit, e takojmë për herë të parë kur ai është në të njëzetat dhe ndodhet në një prej çasteve më të rënda dhe më vendimtare të jetës: Ai sapo është kthyer në shtëpi, pas një jave në spital, ku ishte shtruar shkaku që kishte tentuar të bëjë vetëvrasje (Ai kishte kërcyer nga një urë në Bosfor). Derisa trupi i tij kishte shpëtuar mrekullisht, me vetëm një bri të thyer, mendja e tij kishte pësuar. Atij nuk i kujtohet se kush është apo përse deshi ta vriste veten.

“Tani ke gjëra që nuk mund t’i sqarosh, gjëra që do ta marrin formën me kalimin e kohës”, thotë mjeku i tij, duke parashikuar gëzueshëm se gjithçka do të jetë në rregull në fund. “Cili do të jetë rrëfimi yt i së kaluarës, mbase ajo që deshe ishte t’i ikje një aspekti të kësaj bote”.

Tensioni në këtë libër shpesh të thellë, që nganjëherë të çmendë, ka të bëjë me pyetjet nëse Boratinit do t’i kthehet kujtesa dhe nëse ai do ta kuptojë se çfarë e bën atë të jetë ai – dhe nëse pyetjet e tilla të thella kanë në të vërtetë rëndësi. Amnezia e tij është e pjesshme dhe specifike: Atij nuk i kujtohet asgjë rreth kësaj jete apo jetës së tij të kaluar, por ai di si t’i përdorë fjalët, si të sillet në përditshmëri dhe si të jetë person në botë.

Ai po ashtu kujton faktet historike, ndonëse nuk mund t’i vendosë në kontekstin apo kronologjinë e saktë, kështu që ngjarjet aktuale për të mund ta kenë peshën e njëjtë si e kaluara e largët.

“Mendja ime, e cila nuk ka asnjë fjalë rreth meje, po vlon me fakte për gjërat e tjera”, thotë ai. “Emrat e filozofëve të lashtë, ngjyrat e ekipeve të futbollit, fjalët e astronautit të parë që shkoi në Hënë”. Sidoqoftë, asgjë nga kjo nuk e ndihmon ta zgjedhë misterin rreth vetvetes.

Është e qartë se kush është ai; letërnjoftimin e ka në kuletë dhe miqtë e identifikojnë si muzikant karizmatik, i popullarizuar, i pashëm dhe tejet i talentuar. Ai nuk duket të ketë armiq. Ka qenë mik i mirë për shumëkënd, ndonëse duket se nuk ka treguar kujdes të mjaftueshëm ndaj motrës së tij dhe të birit të saj gjatë viteve të kaluara. Të kuptuarit e kësaj gjëje nuk është se i lë përshtypje, sikur të mos kishte të bëjë me realitetin e ekzistencës së tij.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)