Kulturë

“Cineplexx” edhe në Prizren me magjinë e kinemasë moderne

Prizren, 15 nëntor – Rrjeti i kinemave “Cineplexx”, të enjten mbrëma ka hapur kinemanë e re multiplex në Prizren, e dyta e këtij lloji në Kosovë, pas jetësimit të projektit në Prishtinë tre vjet më parë.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj kinemaje, drejtuesit e saj kanë theksuar se shikuesit e filmave tani e tutje do të kenë rastin që ta shijojnë këtë lloj arti me teknologjinë më moderne në rajon. Sipas tyre, ky investim kap vlerën prej 4 milionë eurosh, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i “Cineplexx Kosova”, Milazim Salihu, ka theksuar se sfida më e madhe ka qenë sjellja e këtij rrjeti të kinemave në Kosovë para disa viteve, ndërkohë që numri i audiencës ka bërë që të ndihet nevoja edhe për hapjen e pikës së dytë, në Prizren.

“Problemi kryesor i ‘Cineplexx’ që të vijë në Kosovë ka qenë para 3-4 vjetësh. Ajo është bërë dhe shikueshmëria, pra njerëzit që i janë përgjigjur pozitivisht kinemasë ka dhënë këtë rezultat që të hapet edhe pika e dytë e pika e tretë. Me 1 milion shikues janë disa rekorde ballkanike që i kemi arritur. Unë e kam ditur, por të tjerët nuk kanë besuar se do të ketë shikueshmëri të tillë. Kam kërkuar prej fillimit më shumë salla në Prishtinë, por aq ishte në fillim. Tani po e shohin se duhet të zgjerohet. Prizreni i ka kapacitetet e mira, i ka 5 salla super moderne, me teknologjinë e fundit”, ka thënë Salihu në natën e inaugurimit të kinemasë së re multiplex në Prizren.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)