Shfaqja greke “Moskov Selim” u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Prishtinës

06 November 2019 22:18

Rrëfimi për një turk që dëshiron ta ndryshojë nacionalitetin duke lexuar shkrimet e një autori rus, u shpalos në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë.

Shfaqja nga Greqia “Moskov Selim”, të martën mbrëma, hapi programin garues të festivalit.

Kjo shfaqje kamertale nën regji të Angelopoulos Tasos, ngjarjen e zhvendos në Thrakë, që ndodhet në këndin ku takohen kufijtë e Greqisë, Turqisë dhe Bullgarisë.

“E gjithë storja e kësaj shfaqjeje është e krijuar në narracionin e një djali të mirë. Duke dëgjuar historinë e jetës së protagonistit, narratori i ‘Moskov Selim’ zbulon se si një turk ka një shpirt farefisnor, pavarësisht kombësisë së tij”, ka thënë Tasos.

“Sa i përket këtij festivali, që nga ardhja këtu e kam përmendur që ishte një befasi e madhe për mua. Festivali ka organizim të mirë. Të gjithë janë miqësor këtu dhe tejet përkrahës. S’e kemi pritur që në Kosovë të ketë një ambient të tillë universitar dhe të ketë teatër brenda tij. Sidoqoftë, dua të kemi bashkëpunim edhe në të ardhmen me këtë festival”, shtoi ai.

Në rolet e shfaqjes luajnë aktorët: Irra Sille, Maria Tanta dhe Christos Tsavlidis.

“Ne jemi të emocionuar, pasi shfaqja jonë ka të bëjë me bashkimin e njerëzve. Dëshiruam ta ndanim këtë me vendin tonë dhe vendin tuaj. Të gjithë ne jemi një grup njerëzish që tregojnë storien e Selimit që ndodh gjatë një kampingu. Po ndihemi të mirëpritur dhe morëm ngrohtësi këtu. Nuk patëm shumë kohë të shohim çdo gjë, patëm një shfaqje dje, do ta kemi një nesër në Selanik dhe kështu ikim me kujtime të bukura nga Kosova”, tregoi ai.

Shfaqje greke u cilësua modeste, por që bart një mesazh të rëndësishëm.

Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë, do të përmbyllet më 9 nëntë nëntor me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme