Kulturë

Vdes profesori universitar Afrim Vokshi, Dema ngushëllon familjen

Ka vdekur sot profesori universitar i Fakultetit Teknik, Afrim Vokshi. Për vdekjen e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Vokshi.

“Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin që sot u nda nga jeta prof. dr. Afrim Vokshi. Vokshi ishte inxhinier i ndërtimtarisë dhe profesor universitar. Që nga viti 1969 u bë pjesë e Universitetit të Prishtinës si ligjërues në Fakultetin Teknik, ku mbrojti edhe disertacionin e doktoratës. Në vitin 1986, profesor Vokshi u zgjodh profesor ordinar, ku shërbeu në mësimdhënie e kërkime shkencore për dekada. UP shquhet me profesorë shembullorë, e njëri ndër ta ishte edhe profesori i ndjerë, Afrim Vokshi. Ai për kolegët paraqet një figurë të akademikut të kompletuar, ndërkaq për studentët ishte një udhërrëfyes e pedagog i shkëlqyer”, ka thënë ndër të tjera Dema, raporton Koha.net.

Ai thotë se kontributi profesor Vokshit për fakultetin ishte krucial, duke bërë që personaliteti i tij të mbahet gjallë përherë, e të lartësohet edhe më shumë në vazhdimësi.

“Ai ishte pjesëmarrës në shumë kongrese, simpoziume e konferenca, si dhe është autor i shumë punimeve shkencore”, ka theksuar Dema.

“Andaj, me lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, tu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij. I paharruar qoftë kujtimi për profesor Vokshin”, ka përfunduar rektori i UP-së, Marjan Dema.