Kulturë

“Salloni” vazhdon rrugëtimin në tri festivale ndërkombëtare

Prishtinë, 5 nëntor – Tri festivale ndërkombëtare në tri kontinente të ndryshme e presin filmin “Salloni” nën regji të Zgjim Terziqit. Gjatë këtij muaji filmi do të shfaqet në edicionin e 11-të të “Lobo Fest - International Film Festival”, i cili do të mbahet në Brasilia të Brazilit prej 13 deri më 16 nëntor.

Dita e parë e dhjetorit do ta gjejë filmin në edicionin e 6-të të festivalit online të filmave “Colortape International Film Festival” në Brisbane të Australisë. Në muajin janar të vitit të ardhshëm filmi do të jetë pjesë e edicionit të 18-të të “Dhaka International Film Festival” që mbahet në Dhaka, në Bangladesh, prej 11 deri më 19 janar. Në këtë festival filmi “Salloni” do të jetë në garë në kategorinë “Short and Independent Films Section”. Në “Lobo Fest - International Film Festival” do të jetë pjesë e kategorisë “International short” së bashku me 32 filma të tjerë. Ndërsa në “Colortape International Film Festival” do të jetë pjesë e kategorisë “Narrative Shorts Competition”.

Producentja e “Sallonit”, Valmira Hyseni, ka treguar se pjesëmarrja në këto festivale, por edhe në të tjera është një promovim i mirë për punën e tyre, por edhe një mundësi për të diskutuar për projekte të ardhshme.

Në film luajnë: Armond Morina, Irena Cahani, Xhejlane Terbunja, May-linda Kosumoviq, Anisa Ismajli, Njomëza Fetiu, Igballe Qena, Sheqerie Buqaj, Marigona Përvetica, Lurni Krasniqi dhe Jara Saqipi. Bashkëproducentë të filmit janë Agon Syla dhe Petrit Ukëhajdaraj, drejtor fotografie Almir Gjikolli, inxhinier i zërit Pëllumb Ballata, montazher Esat Fejza. Muzikën e ka bërë “Andrra”, skenografinë Burim Arifi dhe Blendina Xhema dhe kostumet Hana Zeqa. Filmi është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Komuna e Prishtinës.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)