Kulturë

Qendra e Valbonës, si një inkubator multifunksional i zhvillimit të turizmit

Pas shumë kilometrash na shfaqen dhe tabelat orientuese “Parku Kombëtar Valbonë” që tregojnë drejtimin për në këtë zonë të lakmuar, për eksplorim dhe aventurë. Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, ndodhet në njësinë administrative Margegaj të Bashkisë Tropojë dhe shtrihet në rrugën afër qendrës së fshatit Valbonë, 25. 5 km larg nga Bajram Curri.

Këtu ajri është i ftohtë, i mprehtë dhe i pasur në oksigjen, ku “mushkëritë e pa mësuara të kryeqytetit” kërkojnë kohën e tyre të përshtasin frymëmarrjen.Vargmale të thepisura, që me fanatizëm njëra pas tjetrës fshehin peisazhe, të cilat e bëjnë njeriun të reflektojë se po; “natyra të ka në dorë”. Në rrugën që gjarpëron mes tyre, fillojmë i kalojmë me radhë, duke vazhduar me këmbëngulje këtë “lojë” hap pas hapi me kuriozitetin.

Këto “kartolina natyrore” plotësohen dhe nga bujtinat e shtëpizat të shpërndara në zonë, ku tymi i oxhakut lajmëron se janë gati, për të pritur miqtë vendas dhe të huaj, siç e do tradita.Disa janë ekzistuese e të tjera po ndërtohen rishtaz, pasi kërkesa siç thonë banorët është në rritje. Për t’ju përshtatur kësaj kërkese është e domosdoshme dhe rritja e ambienteve akomoduese, pranë natyrës dhe duke e respektuar atë.Duke ecur me makinë do të vini re shtëpiza prej druri, me çatitë jeshile të cilat janë drejt përfundimit. Të veshura me dru brenda dhe jashtë, janë ndërtime bashkëkohore, duke ruajtur dhe arkitekturën tradicionale të zonës.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton projektin, për ndërtimin e një qendre të Zhvillimit të Turizmit në Valbonë. Banorët shprehen me humor se: “këta të Fondit i kanë vënë në lëvizje, kush ndërton shtëpizën më të bukur.” Aq sa një tjetër mendon të investojë dhe në ndërtimin e një teleferiku të shkurtër, për ti sjellë njerëzit nga kodra pranë bujtinës së tij.Ky investim apo “konkurrencë e shtuar”, me financim të Qeverisë Shqiptare duket se do të vendosë një standard dhe model, në menaxhimin cilësor të turizmit në Valbonë. Duke i informuar dhe duke ju dhënë një destinacion përgjatë gjithë vitit.

Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë do të shtrihet në 4180 m2 hapësirë dhe strukturat kryesore janë: 2 ndërtesa; me destinacion zyra, bar dhe akomodim (dhoma) për turistët. Duke nisur me strukturën e parë, ku fillimisht ju pret një zyre informimi për vizitorët/turistët: në lidhje me 50 shtëpitë “guest house” të zonës, (kontaktin, hartat e vendndodhjeve etj), harta dhe broshura të ndryshme për Valbonën, si turet e ecjeve apo ngjitjeve në mal, informacion për Parkun Kombëtar etj. Njëra nga dhomat, ajo me oxhak do të jetë dhoma e e miqve, e mobiluar sipas traditës së zonës, e cila do të kryejë dhe funksionin e një muzeu etnografik. Ambienti do të ketë hapësira bashkëpunimi (zyra) dhe gjithashtu një bar/restorant brenda dhe jashtë, i cili do të ofrojë mikpritje të ngrohtë pas rrugës.

Në strukturën e dytë, cilësuar si hoteli alpin i Valbonës, në katin përdhe është parashikuar ndërtimi i dhomës së ndihmës së shpejtë, me medikamentet dhe logjistikën përkatëse.Në këtë zonë është mëse e rëndësishme dhe e domosdoshme, siguria dhe shërbimi mjekësor dhe për shkak të distancës gjeografike. Si pjesë e ambienteve çlodhëse pritet të ndërtohet dhe një sauna për rreth 12 vetë, ndërkohë për fëmijët këndi i lojërave do të vendoset midis dy strukturave ekzistuese, për të qenë dhe nën vëzhgimin e prindërve.

Paralelisht po punohet për ndërtimin e 4 shtëpizave prej druri si një domosdoshmëri, për t’ju përgjigjur fluksit turistik. Në restaurimin dhe rimodelimin e hapësirave të tyre të brendshme, janë bërë përshtatje të ambienteve nga inxhinierët dhe teknikët, për të qenë sa më funksionale dhe komode. Arredimi i secilës prej ambienteve është modern dhe me punime termoizolime, elektrike dhe hidraulike cilësore. Gjithashtu përfshijnë sistem ngrohjeje me kaldaja që mbështetet nga 2 depozita gazi, secila nga 5000 litër.

Pjesë e turizmit është dhe kulinaria. Për të promovuar kuzhinën moderne dhe ushqimet tradicionale do të ketë një restorant të hapur, kuzhinë eksperimentale, si dhe do të ofrohen kurse trajnimi në lidhje me gatimin. Dhe nëse ti “nuk i tradhton dot gatimet e mamit në shtëpi” do të kesh hapësirën së bashku me familjen për të shijuar vaktin. Në vijim të këtij promovimi, parashikohet krijimi i një dyqani dhuratash i cili do të përmbajë prodhime artizanale dhe produkte ushqimore të zonës. si: reçel, mjaltë, erëza të ndryshme etj, vërtet një dhuratë karakteristike nga Valbona, për çdo turist në kthim në vendin e tij. Ndërkohë pranë tij magazina ekzistuese do të shërbejë njëkohësisht edhe si magazinë, për biçikletat dhe pajisje të tjera të dëborës.

Për shkak të numrit të lartë të turistëve në raport me popullsinë e zonës, në momentin që hyn në njërën prej bujtinave ekzistuese, të duket sikur je zhvendosur shumë larg prej Shqipërisë. Njëri prej tyre na rrëfen: “Kam bërë shumë foto, gjithçka këtu rreth e rrotull është shumë e paqtë. Sapo u ktheva hiking, përmes shtegut nga Theth për në Valbonë. Shtëpizat e drurit këtu duken shumë bukur, të rehatshme, si dhe të vendosura në vendin e duhur, nga ku shumë mirë mund të nisemi për të lëvizur në zonë. Do doja ti shihja sërish kur të përfundojnë dhe pse jo të rezervoj, sepse që tani duken shumë mire.” Për parkimin vizitorët nuk duhet të shqetësohen, pasi janë parashikuar hapësira para secilës shtëpizë, si dhe punime gjelbërimi përgjatë gjithë vijës.

Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, do të ofrojë një hapësirë komunikimi, çlodhjeje, argëtimi, turizmi, për të gjitha grupmoshat. Kufijtë gjeografikë dhe sociale mes shteteve do të ezaurohen nga natyra e pasur veriore dhe aktivitetet e shumta duke e kthyer, në një nyje turistike të vizitueshme në çdo stinë të vitit./ATSH