Kulturë

Statistikat nxjerrin se librat e lexuesit pakësohen për çdo vit

Prishtinë, 22 tetor – Rreth 120 mijë lexues më pak shënojnë bibliotekat publike në Kosovë gjatë dy vjetëve të fundit. Bashkë me lexuesit duket se po “avullojnë” edhe fondet e librave. Këto dy trende paralele janë vënë re nga raporti i përvitshëm “Statistikat e Kulturës 2018”, që u publikua ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

I përgatitur nga Departamenti i Statistikave Sociale në ASK, ky raport mbi aktivitetet kulturore në Kosovë ka pasur si burim të të dhënave drejtoritë e kulturës, rinisë dhe sportit në nivele komunale. Sipas këtyre statistikave, bibliotekat publike dhe Teatri Kombëtar i Kosovës rezultojnë me trende zvogëlimi sa i përket numrit të frekuentuesve.

Me gjithsej 110 biblioteka në shkallë vendi (ku kanë munguar të dhënat në Leposaviq, Graçanicë dhe Mamushë), fondi i gjithëmbarshëm librar rezulton të jetë 1.775.435. Prej 38 komunave, 13 bibliotekat në Prishtinë dalin të kenë një fond prej 686.935 librash, më i larti në vend.

Menjëherë pas kryeqytetit, Prizreni me 4 biblioteka është i dyti për nga numri i librave me gjithsej 111.635, pasuar nga Gjilani me 8 biblioteka dhe 101.661 libra. Nga komunat me shumicë serbe, Zubin-Potoku me 1 bibliotekë të vetme ka 50 mijë libra, shifër që rezulton të jetë më e madhe sesa në Gjakovë, e cila me 2 biblioteka ka 38.552 libra. Lista pasohet nga Komuna e Parteshit, e cila me 3 biblioteka ka 23 mijë libra, kurse Mitrovica Veriore me 3 biblioteka ka 14 mijë libra.

Krahasuar me të dhënat e mëhershme, bibliotekat në vend kanë shënuar pakësim të librave. Në krahasim me vitin 2016, kur 108 bibliotekat në vend, sipas ASK-së, kishin pasur një fond prej 1.793.073 librash, të dhënat e vitit 2018 tregojnë se kjo shifër për dy vjet u reduktua për 17.638 libra më pak.

Por pakësimi i librave duket të jetë problem më i vogël në krahasim me rënien e vazhdueshme të lexuesve. Për dy vjet, bibliotekat publike kanë pasur mbi 120 mijë frekuentues më pak. Sipas statistikave të ASK-së, në vitin 2016 bibliotekat në Kosovë kishin shënuar 278.201 lexues, por një vit më vonë ky numër kishte rënë në 158.176, që përkthehet në 120.025 më pak frekuentues. Edhe vitin që lamë pas, kjo rënie është thelluar për 1641 lexues më pak.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")