“Shumë zhurmë për asgjë” me regji nga Zana Hoxha, “Një letër e humbur” me regji nga Kushtrim Bekteshi, “Zona e pritjes” me regji nga Fatos Berisha, “UN Inspektori” me regji nga Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” me regji nga Shkëlzen Berisha, “Ditë vere” me regji nga Naser Shatrolli dhe “Kanuni i gruas” me regji nga Arlinda Morina janë shfaqjet që do të paraqiten para publikut në Festivalin e Teatrove në Ferizaj.
Edicioni i sivjetmë i 49-ti me radhë do të fillojë sot (e hënë) dhe do të përfundojë më 26 tetor, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mbarë edicionin e 49-të të Festivalit të Teatrove. Siç ka thënë ai, trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare duke nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar tek nikoqiri, Ferizaj, janë gati për t’i dhuruar publikut momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore. Pos sipas Hysenit, realizimi i këtij festivali nuk ka kaluar pa sfida.
Të gjitha shfaqjet fillojnë nga ora 20:00, në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Mysafirë të këtij edicioni do të jenë teatri i qytetit “Hamdi Shehu” në Gjakovë, Teatri i Tetovës, teatri “Migjeni” në Shkodër, teatri “Adriana” në Ferizaj, Teatri i Qytetit të Gjilanit, teatri “Avdush Hasani” në Podujevë & Instituti për Vetëdijesimin Bashkëkohor dhe “Art Polis”, Prishtinë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)