Pikturat e treshes tek bashkohen në ekspozitë, vijnë si një mozaik që prek dy epoka krejt të ndryshme të Shqipërisë. Por kalimi prej socializmit në demokraci, nëpërmjet shprehjeve të tyre artistike përvijohet bashkë me kontrastet.
Adrian Çene, Albana Shoshi dhe Brikena Bërdo janë bërë tok në ekspozitën “Post-Avangarda Lindore”, e hapur të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. Që të tre kanë përjetuar të dy sistemet.
Psikologjia njerëzore dhe konfliktet në mes të gjeneratave janë disa detaje që gjenden brenda 18 pikturave të kësaj ekspozite, organizuar në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri.
Artistja Brikenda Bërdo është shumë e lidhur me fëmijërinë, të kaluarën, e ato që kanë lënë gjurmë në jetën e saj. Kreu studimet në Degën e Grafikës në Akademinë e Arteve. Tash punon si disenjatore grafike në Bankën e Shqipërisë. Bërdo ka thënë se kuratorja Suzana Varvarica-Kuka ka sjellë në Prishtinë vepra, të cilat janë shumë personale për të. Disa prej tyre ajo nuk i ka poseduar, mirëpo janë mbledhur veçanërisht për këtë ekspozitë.
“Punët e mia në përgjithësi janë tej mase personale, vetjake, kapin edhe aspekte sociale ndaj të cilave janë të ndjeshme e që kanë lënë gjurmë e janë tërë kohës në kokën time. Aspekti i fëmijërisë, gjurmët që ka lënë e shkuara, ngjyrat, dritat, por edhe aromat”, ka thënë ajo. Artistja është vazhdimisht në kërkim të ndonjë imazhi dhe ka thënë se kur e gjen atë synon ta bartë edhe në pikturë.
“Më ndodh shumë fuqishëm që kam disa imazhe nga fëmijëria. Kam një dritë dielli që them se nuk ndriçon më si më parë, kam një hije që gjethet krijojnë në tokë, apo një aromë që sot e kësaj ditë jam në kërkim të saj. Është një lloj sikleti pasi që jam në kërkim dhe herë pas herë më vjen si ‘Déjà vu’”, ka thënë Bërdo. Sipas saj, e tillë është edhe vepra e vetme pa titull e ekspozuar në Prishtinë, e realizuar me vaj mbi karton. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)