Kulturë

Asgjë s’e minimizon trashëgiminë e Handkes me Milosheviqin

Peter Handke asnjëherë nuk hoqi dorë prej besimit të tij mushkërishte se gjuha është thjesht një set trillimesh dobësuese që përdoret për ta fshehur njëmendësinë.

Në vitet ’80, ai kuturiste jashtë mendjes së karaktereve të tij asisoj sa për t’iu ofruar lexuesve evokime të krehura bukur të peizazheve natyrore.

Njësoj si Heideggeri, Handke tani mëtonte se dëshironte të zgjonte te lexuesit e tij një ndjesi të re të “misterit të qenies”. Për këtë qëllim, ai i bënte krijimet e tij fiksionale të udhëtonin nëpër vende në të cilat ndjesimet e reja të njëmendësisë së jashtme do t’u mundësonin atyre të tejkalonin të menduarit racional dhe të angazhoheshin drejtpërdrejt në vetë sendet më shumë, sesa në nocionet e paramenduara që i kishin brendësuar nga gjuha.

Personazhet e tij janë më në fund të afta për të arritur çaste lumturie, por vetëm në një mënyrë iracionale kur ato kridheshin në fund të pragut të mendjes dhe merrnin pjesë, madje edhe për një çast, në procesin shpalosës të jetës.

Paçka se sajesat e ngushta të Handkes asnjëherë nuk sollën arsye të mjaftueshme që protagonistët e tij të pagjak të kapnin simpatinë e shumicës së lexuesve, këta kritikë dhe akademikë që tumirnin teorinë postmoderne kishin për çka të kremtonin. Për më tepër, stili i Handkes zotëronte një fuqi që disi vinte edhe nëpërmjet përkthimeve në anglisht.

John Updike fliste për shumicën e kritikëve kur vuri re: “Nuk mund të mohohet intensiteti i tij i vullnetshëm dhe qartësia e mprehtë e evokimit”. Kjo zotësi, bashkë me natyrën avangarde të të shkruarit të tij, e vendoste atë në radhët e para të shkrimtarëve bashkëkohorë. Pasi Handke me Wim Wendersin shkruan bashkërisht skenarin për filmin e suksesshëm “Der Himmel über Berlin” – që u realizua në Shtetet e Bashkuara si “Wings of Desire” (1988), që fitoi çmimin më të mirë për regjisor në Cannes në 1987 – nami i Handkes kishte arritur majat.

Kur erdhën vitet e nëntëdhjeta, dukej sikur Handke së shpejti do të veshte karrierën e tij me çmimin “Nobel” në letërsi. Në të vërtetë, kur bashkatdhetarja e tij Jelinek fitoi “Nobelin” e saj më 2004, ajo tha se Handke e meritonte atë më shumë se vetë ajo – dhe ajo mund të ketë pasur të drejtë. Akademia Suedeze kishte cituar Jelinekun për “zellin e saj të pazakontë gjuhësor”, për zbardhjen e “absurditetit të klisheve shoqërore dhe fuqive të tyre nënshtruese”. Nëse ky ishte standardi të cilin po e kërkonin vlerësuesit e “Nobelit”, Handke duhej të ishte njeriu i tyre. Nga viti 2004, Handke kishte më shumë se një dekadë që pleksej me Slobodan Milosheviqin dhe shkërmoqjen e Jugosllavisë. Këto angazhime politike do të bëheshin tatëpjeta e tij letrare. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)