Kulturë

Reflekset e historisë në faqet e një romani

Realiteti historik ka qenë (dhe mbetet) inspirim i shumë shkrimtarëve, i emrave të njohur në botë, që nga antika e tutje, duke vazhduar edhe sot e gjithë ditën.

Kur në veprën letrare pasqyrohet lufta, lexuesit i jep mundësi përjetimi dhe informimi, dy kahe këto të cilat mund të kuptohen si shtytje të interesimit, mbase edhe të përvetësimit të lexuesve. I këtij zhanri është edhe vepra “Kusari” i shkrimtarit arab nga Katari, Abdulaziz Al-Mahmud, i përkthyer nga Ejup Ramadani (botim i “Buzukut”).

Para se të merret në shqyrtim kjo vepër e rrallë jo veç për botën arabe, por edhe për entitetin tonë, të informojmë se nga ky përkthyes i vëmendshëm janë ofruar (dhe botuar nga “Botimet KOHA) romani “Koha e shpërnguljes në veri” i shkrimtarit sudanez Tajib Salih, vepër kjo e cila më 2001 nga Akademia Arabe e Letërsisë u cilësua si vepra më e rëndësishme arabe e shekullit XX, dhe romani “Burrat në diell” i shkrimtarit palestinez Gassan Kanafani, i cili më 1972 bashkë me mbesën e tij u vranë nga shpërthimi i një veture bombë në Bejrut. Përkthyesi Ejup Ramadani, i pajisur me njohuritë gjuhësore arabe në Universitetin e Kajros, për lexuesit shqiptarë, pra, sjell edhe “Kusarin”, këtë vepër të Abdylaziz Al-Mahmudit, autor për të cilin kanë dhënë vlerësimin për, siç shkruajnë, “Një talent i shkëlqyer i shkrimit të romanit...”.

“Kusari” ka mbështetje me ndodhitë historike, të cilat lidhen me konfliktet dhe luftërat e vazhdueshme në Gjirin Persik dhe në Gjirin Arab, atje ku në atë kohë (domethënë në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë) kryqëzohen interesat e ndryshme, siç ishin ambiciet kolonialiste të anglezëve, uria e vazhdueshme e kusarëve dhe ballafaqimi i tyre me anijet tregtare, si dhe luftërat e Ibrahim Pashës (të birit të Mehmet Ali Pashës së Egjiptit) në ndjekjen e vehabistëve sauditë, të cilët kishin arritur të zgjeroheshin, me interesim të përhershëm për ta gllabëruar tërë botën islame. Fushata vehabiste në këtë roman paraqet një segment, ndërkaq kryesori është kusari legjendar Erhame ibn Xhabir, si një fantazmë e trishtë që shkatërron çdo gjë që i gjendet në rrugë... (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)