Për një gazetar, të raportuarit rreth njerëzve qëndrimet e të cilëve mund t’i ndani, përbën goxha problem, ama raportimi rreth njerëzve, qëndrimet e të cilëve i shihni si krejtësisht të neveritshme, mund të jetë edhe më problem.
Andrew Marantz ka nisur mbulimin e, siç i quan, “djelmoshave të këqij në sferën e internetit” për “The New Yorker” edhe para se rezultatet befasuese të zgjedhjeve presidenciale të 2016-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i gëzonin po këta djelmosha, përcjell Koha Ditore.
Në librin e tij të parë, “Antisocial”, Marantz e shpalos mendimin e tij përmes një dileme. Anashkalimi i këtij kontingjenti online dhe sajesës së saj famëkeqe të nacionalizmit të bardhë e mizogjinisë mund t’i bëjë ballë vëmendjes së madhe në shikim të parë, ama në epokën e medieve sociale madje edhe trollët më margjinalë munden sidoqoftë të përhapin teori të elaboruara konspirative, pa marrë parasysh se sa të kota të jenë.
Pra, nëse ju caktohet ta mbuloni një subkulturë të tillë kaq të veçantë, çfarë do të bënit? A ju shtyn parimi gazetaresk i neutralitetit kah zbutja dhe përfundimisht shtrembërimi i vokabularit?
“Antisocial” nuk ka të bëjë vetëm me “trurin fantazmë të uebit”, “konspiratorët mendjelehtë” dhe “thjesht oportunistët”, por ka të bëjë edhe me përpjekjen kërkuese të Marantzit për t’i kuptuar njerëzit që ai i përshkruan si përnjëmend të mjerueshëm, por pa e lejuar dhembshurinë e tij morale që të thyhet.
Kalon goxha kohë me të vetëdeklaruarit djathtistë alternativë, si dhe me ata që pretendojnë se “brendi” i djathtizmit alternativ është “toksik” teksa njëkohësisht i përsërisin të njëjtat qëndrime, përfshirë kërkesat për një etno-shtet të bardhë dhe shpërfilljen e thellë për gratë.
Marantz e di se paanshmëria është parim profesional; por akoma më fundamentale, thotë ai, është nevoja për sinqeritet. “Fakt i qartë ishte se e djathta alternative qe një lëvizje raciste përplot shkarje e gënjeshtra”, ka shkruar ai. “Nëse stili i një gazete nuk ua lejon gazetarëve ta thonë këtë gjë në këtë mënyrë, as qoftë edhe me nënkuptim, atëherë stili i gazetës është që t’ua parandalojë gazetarëve që ta thonë të vërtetën”....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)