Prishtinë, 10 tetor – Koncerti “Një rrëfim i harmonisë” solli në kryeqytet grupin e njohur britanik “The King’s Singers”. Paraqitja e tyre filloi me “Viderunt Omnes” të shekullit XI, kompozuar nga Lenonin, pjesë e koleksionit të veprave të katedrales “Notre Dame”, dhe përfundoi me hitet e të gjitha kohëve si “Yesterday” e “The Beatles”.
Përgjatë këtij rrëfimi muzikor u interpretuan edhe këngë që vënë në pah trashëgiminë e pasur të vendeve të ndryshme, por edhe problematikat dhe çështjet politike që janë pjesë e përditshmërisë. Koncerti, i cili u mbajt të martën mbrëma në qendrën “Bogdani Polis” të Katedrales “Shën Nënë Tereza” përmbylli natën e dytë të edicionit të dytë të festivalit “Prishtina International Vocal Festival”.
Ansambli “The King’s Singers”u themelua më 1 maj 1968, kur studentët që kishin mbaruar studimet në kolegjin “The King’s” në Cambridge, mbajtën një koncert në sallën “Mbretëresha Elizabetë” në Londër. Për 51 vjet ansambli ruan veprat që kanë qenë pjesë e repertorit, duke shtuar edhe vepra të reja dhe aranzhime, me qëllim që të pasurohet programi. Anëtarët e këtij grupi janë ndërruar, por megjithatë e kanë ruajtur frymën e njëjtë.
Edicioni i dytë i festivalit “Prishtina International Vocal Festival” përfundon sonte me koncertin e Korit të Filarmonisë së Kosovës.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")