Sot në Institutin Albanologjik mbahet konferenca për leksikun e gjuhës shqipe

Konferencë në Instituttin e Albanologjisë: Shqipja po përballet me ndryshime të mëdha

09 October 2019 10:11
12:18

Me qëllim të prezantimit të punës dhe projekteve të realizuara dhe nxjerrjes në pah të studimeve nga fusha e leksikografisë, sot në ambientet e Institutit të Albanologjisë është organizuar konferencë shkencore me temën “Studime për leksikun dhe leksikografinë dialektore”.

Në këtë konferenca kanë prezantuar punimet e tyre leksikografike emra të shquar të shkencës së albanologjisë.

Shefi i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik Naim Berisha ka theksuar se gjatë këtij viti janë bërë projekte të shumta gjuhësore kushtuar leksikut, për çka tha se të njëjtat do të shpalosen edhe sot në këtë konferencë.

Ai po ashtu ka treguar qëllimin e organizimit të kësaj konference.

“ Kjo konferencë u ideua si mundësi dhe si nevojë e prezantimit të projekteve dhe të arriturave që ka shënuar kjo degë. Por, edhe si mundësi e njohjes me të arriturat e qendrave tjera shkencore gjithandej trojeve shqiptare. Dega e Gjuhësisë së Institutit Albanologjik duke pasur në përbërjen e saj sektorin e leksikut në vazhdimësi u ka kushtuar rëndësi projekteve shkencore të kësaj fushe. Njohësit e kësaj dege që nga themelimi i Institutit kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në projekte të rëndësishme. Është bërë një punë mjaft e rëndësishme në mbledhjen e leksikut dialektor dhe janë ndërtuar një mori fjalorësh”, tha ai.

Sipas tij, gjuha shqipe është duke u përballur me ndryshime të mëdha. Për çka siç tha ai, tipologjia e botimeve leksikore ka ende zbrazëti të madhe.

E, studiuesi nga Shqipëria, Valter Memisha ka interpretuar kumtesën e Jani Thomait, të veprës leksikografike të Avdulla Zymberit, ku ka përmendur eufemizmat krahinore në këtë vepër si ato të gjallesave të ndryshme.

“Sipas të dhënave identifikuese të të folurave në këtë fjalorth dhe të trajtave fonetike të fjalëve në shembuj, duket që ato tërësisht janë të dialektit të veriut të Kosovës dhe të Shqipërisë. Pra, ky është fjalor dialektor kryesisht, i të folurave të gegnishtës veriore e verilindore. Shënimet identifikuese të trajtave fonetike të fjalëve në shembuj, sipas krahinës kanë sjellur dy rrjedhoja. Rrjedhoja e parë është përfshirja në fjalor si leksiona në vete edhe e trajtave krahinore të fjalëve të përgjithshme jo krahinore si : baballak, bablok, bishtak etj”, ka thënë ai.

Studiuesja Shefkije Islamaj në Institutin Albanologjik, ka theksuar frazemat me përbërës arkaizma dhe historizma me burim oriental dhe funksionin e tyre në gjuhën shqipe të sotme. Shumë prej tyre tha se identifikohen në mediet sot.

“Gjatë përdorimit të tyre të dendur, në situata të ndryshme ligjërimore, frazema asnjanëse marrin kuptime konotative, të cilat në thelb kanë pasur ose edhe nuk i kanë. Kur një frazemë në fund dhe një term fiton një kuptim të figurshëm zgjeron edhe në stilet e tjera funksionale të gjuhës, sepse leksiku është pjesa më e dinamike e gjuhës. Por mund të ndodhë edhe e kundërta.... Leksema surrat që përdoret dendur në ligjërimin bisedor, në letërsi dhe në publicistikë, duke e njohur përdorimin e saj të dendur dhe sidomos praninë e saj të madhe në fraziologjizmat e gjuhës shqipe sot të moçme dhe ato që krijohen çdo ditë, përcaktimi që i bëhet asaj në fjalorin e gjuhës shqipe duhet të ndryshohet dhe të plotësohet edhe me treguesit e tjerë për fushën e përdorimit të saj”, tha Islamaj.

Në këtë konferencë morën pjesë leksikografë nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Gjilanit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASA) në Tiranë, Universiteti i “Ismail Qemaili” Vlorë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Katedra e Albanologjisë e Universitetit të Beogradit, Universiteti “Cyril and Methodius” Shkup, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore./KsP.

10:11

Sot në Institutin Albanologjik mbahet konferenca për leksikun e gjuhës shqipe

Dega e Gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës organizon konferencë shkencore me titull: “Studime për leksikun dhe leksikografinë dialektore”.

Konferenca do t’i zhvillojë punimet sot në ambientet e Institutit Albanologjik, në të cilën do të marrin pjesë emra të shquar të shkencës së albanologjisë.

Qëllimi i kësaj konference, sipas organizatorëve është prezantimi i punës dhe projekteve që janë realizuar dhe që janë në realizim e sipër, njëkohësisht edhe nxjerrja në pah e studimeve dhe të arriturave të viteve të fundit nga fusha e leksikografisë.

Në këtë aktivitete do të ketë pjesëmarrës nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Gjilanit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASA) në Tiranë, Universiteti i “Ismail Qemaili” Vlorë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Katedra e Albanologjisë e Universitetit të Beogradit, Universiteti “Cyril and Methodius” Shkup, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore etj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme