Kulturë

Petrit Halilaj - ligjërues në Shkollën Kombëtare të Arteve në Paris

Artisti kosovar me nam botëror, Petrti Halilaj, ka hapur një kapitull të ri në karrierën e tij. Ai ka filluar që të ligjërojë në shkollën kombëtare të arteve “Beaux-Arts” në Paris. Për tre vjetët e ardhshëm Halilaj do të ligjërojë përkrah partnerit të tij nga Spanja, Alvaro Urbano. Urbano dhe Halilaj kanë nisur angazhimin e ri të mërkurën e kaluar.

Në ditën e parë kishin përzgjedhur një mënyrë tjetër të paraqitjes para studentëve. Jo atë të profesorëve konvencionalë. Ata kishin shkuar të veshur si rakunë. Për tre vjet ata do të mbajnë kursin “Pedagogy of the encounter”, shkruan sot “Koha Ditore”. Synimi i tyre është që të krijojnë një çerdhe për mendime kritike. Halilaj dhe Urbano do të ligjërojnë për studentët e nivelit bachelor, që kanë tre vjet studim, por edhe për ata të nivelit master, që kanë dy vjet studime.

“Ne do të mundohemi që të ndajmë me studentët e Akademisë eksperiencën tonë në këta 10 vjetët e fundit. Dëshira jonë është që të kemi një departament bashkëkohor të artit pamor ku nuk është ai relacioni tradicional mësues-student. Pra, po përpiqemi që të krijojmë një ambient ku shkëmbehen eksperiencat, ku bëjmë pyetje e eksperimente së bashku”, ka thënë Halilaj.

Halilaj ka thënë se do të shohë për mundësi bashkëpunimi në të ardhmen në mes të Universitetit në Paris, ku ai po ligjëron, dhe Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Mirëpo, sipas tij, akoma nuk mund të premtojë asgjë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)