Kulturë

Kthimi te Hitleri në një epokë të re të autoritarizmit

Kur nuk punonte rreth librit për rrënjët e antisemitizmit në shtetin e tij, Peter Longerich, historian gjerman dhe ekspert për Holokaustin, mendonte për 1923-n. Në atë vit, sqaron Longerich, Gjermania përballej me një krizë të rëndë.

Ekonomia ishte në rënie, lëvizjet separatiste ishin përhapur në lande të shumta dhe, në nëntor, politikani i ri, Adolf Hitleri, tentoi një puç në Bavari. Megjithatë, “Republika e Weimarit ia doli ta kapërcente krizën dhe të stabilizohej”.

Një dekadë më vonë, një krizë e re pati epilog tjetër: Hitleri u bë kancelar i Rajhut, eliminoi pothuajse menjëherë kontrollet institucionale mbi pushtetin e tij dhe krijoi një diktaturë, transmeton Koha Ditore. 

Si arriti Hitleri që një shtet demokratik ta kthente në autokraci të organizuar mbi bazën e urrejtjes racore? Gjatë viteve të kaluara, teksa pjesa më e madhe e botës perëndimore ka parë një kthim të theksuar, nganjëherë të dhunshëm, drejt nacionalizmit dhe antisemitizmit, kjo pyetje po zgjon gjithnjë e më shumë interesim.

Këtë vjeshtë, dy libra të rinj synojnë të japin përgjigje: “Hitler: A Biography” e Longerichut dhe “Hitler: A Global Biography” e historianit të Cambridges, Brendan Simms. Të dy historianët kishin nisur punën me librat e tyre para rrëmujës së ngjarjeve aktuale, por ata e pranojnë se trendët aktualë politikë i japin peshë edhe më të madhe temës që e trajtojnë.

“Çështjet të cilat i adresonte Hitleri – pabarazia, migrimi, sfida e kapitalizmit ndërkombëtar – janë po aq aktuale sot, sa edhe atëherë, kur ai ia mësyri që të gjente zgjidhje shkatërrimtare”, thotë Simms. “Në një mënyrë alarmante dhe shqetësuese, Hitleri është sot më pak i çuditshëm, sesa që ishte 20 apo 30 vjet më parë”.

Për Longerichun, vetëm disa faktorë i ndajnë ngjarjet e 1923-s me ato të 1933-s: Një aleancë midis fraksioneve konservatore që zgjati mjaftueshëm, një degradim i vazhdueshëm i kushtetutës së shtetit dhe, më e rëndësishmja, një lider që përmes vullnetit dhe karizmit, bashkoi një lëvizje që i ishte dorëzuar përplasjeve të brendshme....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)