Kulturë

“Rruzat e Zemrat” u prezantuan sot në Prishtinë

Shumë aksesorë, modele të ndryshme, e të punuara me një energji të madhe janë paraqitur të premten në një ekspozitë shitëse në Prishtinë. Ato u punuan nga viktimat e mundshme të trafikimit, nën mbikëqyrjen e artistes Njomëza Luci, ndërsa, fondet e mbledhura nga kjo ekspozitë do të shkojnë direkt për gratë që i punuan aksesorët. Ky projekt ka ndihmuar viktimat të fuqizim dhe risocializim.

“Rruza t’zemrës” është ekspozita shitëse e cila u hap sot në Menzën ‘Ramiz Sadiku’, në Prishtinë, punime të cilat përveç bukurisë, përmbajnë përkushtim të jashtëzakonshëm dhe dashuri nga gratë që i punuan ato.

Ekspozita vjen si rezultatet i tetë sesioneve.

Jetbardha Slemani, koordinatore e projektit tha se i gjithë procesi ka shkuar mirë, dhe se fakti që kanë punuar me viktimat, i bënë edhe më të veçanta këto punime.

“Kur jemi mbledh ne nuk kemi mendu që ka me shku kaq mirë, unë mendoj që e mira e krejt këtyre rruzave që janë shumë të veçanta, përveç që këna punuar bashkë me gratë ne u kem dhënë edhe shumë dashni dhe energji shumë të mirë, kur kemi qenë aty bashkë kemi folë mes vete, kemi shoqëru, kemi bërë shumë hajgare duke thënë po ‘shtijm rruza në pe’ bashkë. Procesi ka qenë shumë i mirë ka pas tepër energji shumë të mirë mes neve, krejt në fund kur e kemi kry punën kemi thënë a po ua merr mendja që ne i kemi bërë këto rruza, do të thotë aq të mira kanë dalë, aq të bukura, sa nuk e kemi pritë që ka me përfundu një proces i tillë në mënyrë kaq të mirë”, tha ajo.

E psikologia Behare Bojaxhiu nga Qendra e Shëndetit Mendor, tregoi që kanë bashkëpunuar me organizatën Artpolis, ku kanë kontribuar në vetëbesimin e grave punëtore të cilat marrin shërbime në qendër.

Sipas saj, krejt kjo ka ndikuar pozitivisht në risocializimin e tyre.

“Ka qenë një projekt mjaft profitabil në ngritjen e kreativitetit dhe zhvillimit kreativ të grave që marrin shërbime në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë”, tha ajo.

Venera Ismaili nga Qendra ArtPolis, tha se ky është projekt i fuqizimit socio-ekonomik dhe psiko-social i viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme të trafikimit, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Family and Childcare Centre.

“Punonjësit e Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë na kanë ndihmuar të bijm në kontakt me këtë kategori të margjinalizuar dhe t’i angazhojmë në një punë mjaft kreative. Ka qenë një punë shumë e frytshme, rezultatet do t’i shihni edhe vet, këto gra jo vetëm që kanë marrë një lloj zanati si të punohet me këto materiale por ato edhe janë frymëzuar, fuqizuar brenda këtyre tetë sesioneve dhe kanë vërejtur që munden me punu, me qenë të zonjat e vetvetes, dhe se mund të punojnë diçka kreative”, tha ajo.

Projekti “Fuqizimi Socio-Ekonomik dhe Psikosocial i Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit” financohet nga projekti i BE “Lëvizja Përpara: Promovimi i Efikasitetit dhe Efektivitetit më të Madh në Luftë Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore", projekt ky i zbatuar nga konzorciumi i udhëhequr nga Family and Childcare Centre (KMOP).