Kulturë

“Albumi familjar” pas Venecias do të zhvendoset në Prishtinë

Tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim personal i artistit Alban Muja përthekojnë veprën “Family Album” (Albumi familjar).

Ajo përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Imazhet filmike mjaft intime prej 9 majit po vazhdojnë të shfaqen në qytetin italian. Aty do të jenë deri më 24 nëntor, kur përmbyllet edicioni i 58-të i ngjarjes së madhe të artit. Por rrëfimi për veprën, bashkë me historinë prapa saj janë rikthyer të martën në Prishtinë, në përurimin e katalogut të Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias. Aty është dhënë lajmi se “Albumi familjar” do të zhvendoset vitin e ardhshëm edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Artisti Alban Muja, i cili është artisti që sivjet përfaqësoi vendin në prezantimin e katërt në Bienale, ka rikujtuar se pikënisje të projektit artistik ka pasur një fotografi të veten si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll, Jose Maria Aznar. Fotografia e njëjtë gjendet edhe në katalog, në kapitullin “Albumi Familjar: Procesi”.

Aty artisti në një intervistë të realizuar nga kuratori i veprës Vincent Honore dhe asistentja e tij, Anya Harrison, shpalos rrëfimin deri te jetësimi i veprës, përzgjedhjen e tri fotografive që do të bëheshin epiqendër e projektit të tij. Flet për titullin e për atë se sesi “Albumi familjar” u bë vepra e parë e tij që ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe korrelacion me të kaluarën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)