Prishtinë, 24 shtator – Unik në Gjermani, është njëri prej cilësimeve që i bëhen Festivalit Ndërkombëtar të Mendelssohnit që në edicionin e parë të tij, i cili ka përfunduar të dielën mbrëma në Hamburg. Për dhjetë ditë, kjo ngjarje muzikore, që organizohet në nderim të kompozitorit të periudhës së romantizmit, ka bërë bashkë në qytetin e tij të lindjes emra të shquar muzikantësh të kësaj kohe.
E në mesin e tyre ka qenë edhe pianistja kosovare Ardita Statovci bashkë me kolegen e saj zvicerane, Ariane Haering, me të cilën komuniteti artistik tashmë i njeh si duoja “Ariadita”. Dy prezantime kanë rezervuar organizatorët e festivalit për dyshen e themeluar katër vjet më parë. Për Statovcin, koncertimi i dyfishtë është një konfirmim i suksesit të tyre dhe njohje e nivelit artistik. “Ariadita” u ngjit në skenë të enjten e kaluar në Hamburg për t’u rikthyer edhe të dielën mbrëma para publikut të këtij qyteti, por në një tjetër sallë koncertale.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Mendelssohnit, duoja “Ariadita” ka interpretuar vepra nga kompozitori gjerman Robert Schumann dhe nga kompozitori francez Camille Saint-Saens. Në koncertin e natës përmbyllëse të festivalit, dyshja e ka ndarë skenën me artistë të shquar të botës muzikore, duke përfshirë violonçelistin finlandez 77-vjeçar, Arto Noras, që konsiderohet si një nga violonçelistët me nam të kohës, me violonçelistin gjerman Niklas Schmidt, francezin Ab Koster në kornë, dhe me artistë të tjerë të ftuar nga Festivali.
“Në ‘Elbphilharmonie’ salla me një akustikë të mrekullueshme – e me dy piano tejet të sofistikuara ‘Steinway & Sons’ – ishte e mbushur përplot me publik të koncentruar dhe entuziast. Brohoritjet dhe duartrokitjet ishin frenetike, ashtu që për dëshirën e publikut luajtëm edhe një vepër shtesë, edhe pse edhe me tutje duartrokitjet nuk ndaleshin. Qe një festë vërtet magjike”, ka thënë Statovci të hënën, një ditë pas koncertit.
(Gjerësiusht, sot në "Kohën Ditore")