Kulturë

“For Sama” sjell rrëfimin për foshnjën siriane të luftës

Descriptive Text

Kinemaja e pangarkuar me nocionet e krijimit të njëfarë baraspeshe të vetimponuar shpesh ka pasur ndikim më të madh në përshkrimin e shkatërrimeve të shkaktuara nga konflikti sirian sesa mbulimet dhe transmetimet e përpikta mediale.

Filmi “A Syrian Love Story” i Sean McAllisterit i trajton të mirat dhe të këqijat e një çifti të shtrënguar të ikë në Evropë; “City of Ghosts” i Matthew Heinemanit e pasqyron zymtësinë e agonisë së qytetarëve-gazetarë që përpiqen ta përçojnë lajmin gjetkë, në botë. Këta filma e kanë arritur efektin e fuqishëm përmes njëfarë ndërgjegjësimi për distancën, qoftë midis regjisorit dhe subjektit apo subjektit dhe atdheut.

Karakterizuar si një letër e nënës për të bijën e saj dhe i hapur me pamjet e një sulmi ajror, ashtu siç përjetohet prej atyre brenda zonës së cakut, filmi i jashtëzakonshëm “For Sama” (Për Saman) na teleporton mu në vlugun e zhvillimeve, qysh prej fillimit, transmeton Koha Ditore.

Filmi i ngjason një videoxhirimi amator të bërë prej një zone të goditur nga bombardimi. Është Waad al-Kateab ajo që e kap kamerën në dorë më 2012 për t’i dokumentuar protestat e kolegëve të saj studentë kundër presidentit, Bashar al-Assad.

Ajo vazhdon të filmojë teksa Halepi bie nën rrethim, nuk e ndal as kur gjërat bëhen më keq dhe e xhiron edhe afrimin e saj emocional me një mjek, Hamzan, dhe lindjen e fëmijës së saj të parë, Sama.

Këto vinjeta, të palosura pastaj nga regjisori britanik, Edward Watts, përbëjnë produksionin më imponues filmik deri më tani mbi këtë zonë konflikti pasqyruar përmes jetës së përditshme: Të nënës së re që mundohet me mish e shpirt ta vërë në gjumë foshnjën e saj nën zhurmën tmerruese të bombave në shpërthim; të pasigurisë që e prodhon ndjesia kur i sheh miqtë tek qëllohen për vdekje dhe e lagjes që shoshitet nga predhat....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)