“Zana” reflekton traumën që pamundëson jetën normale

“Zana” reflekton traumën që pamundëson jetën normale

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 21 September 2019 10:00

Një vrapim i shkujdesur i një vogëlusheje lojcake në livadhin e kositur është përjetimi që rizgjohet si ëndërr, traumë dhe dhembje. Plumbat e ushtrisë serbe nuk këputën vetëm fillin e jetës së Zanës katër vjeçe. Vitet e pasluftës duken sikur janë veçse një paqe e pamundur përballë dhembjes që gjen mënyrat e saj për të ngrirë buzëqeshjen në çdo rast, shkruan sot Koha Ditore.

Trauma e madhe zë të shplekset midis një fshati panoramik të Pejës, ku jeta gjallëron mes përditshmërisë me halle e punëve në bujqësi. Të përdorura me mjeshtëri të përveçme, kamerat dhe lentet e Panavisionit arrijnë të përkapin në mënyrë të barabartë skenat plot gjelbërim me të përbrendshmën emocionale të personazheve, dy botë thuajse të kundërta me njëra-tjetrën.

Të lehurat e largëta të një qeni bashkë me kokorisjet e pulave nuk janë dromcat e vetme që sjellin tek audienca erën e një fshati. Ky idil sipërfaqësor shprishet qysh në fillim nga një ëndërr e surrealtë gjaku. Këtu nis peri i Adrianës: ëndrra është prologu i dramës së madhe që luhet në fatet e ngrira të Lumes (Adriana Matoshi) dhe Ilirit (Astrit Kabashi), çifti që ka përjetuar tragjedinë.

E bija e tyre është vrarë nga ushtria serbe. Përpjekja për të vijuar shtjellën e jetës nuk duket e lehtë dhe dy personazhet nuk e kanë të lehtë rehabilitimin. Rrethi familjar provon të ndjekë kurën tradicionale: Lumja dhe Iliri duhet të sjellin në jetë një fëmijë. Vështirësitë për të ngelur shtatzënë dhe kontrollet te mjeku nuk kryejnë punë. Këtu shfaqet vjehrra e autoritetshme, nëna e Ilirit (Fatmire Sahiti), e cila e detyron të renë që të provojë edhe kura “magjike”.

Duke qenë besëtytja e ngulitur ende në mendësinë e njerëzve, Lumja fillimisht vihet para një shëruese popullore (Irena Cahani), “alkimia” e së cilës sikur e vë në pikëpyetje mosbesimin e saj, e bashkë me të edhe të audiencës. Kërcënimi i nënkuptuar i vjehrrës se do t’i gjejë Ilirit një nuse tjetër bën që Lumja të pranojë vizitën edhe te hoxhë Murati (Mensur Safçiu), që pretendon se di të shërojë “sehiret”.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme