Kulturë

Nata e Bardhë përball të renë e të vjetrën përmes artit në Prizren

Prizren, 16 shtator – Cikli kohor prej perëndimit deri në agim, brenda të cilit janë realizuar aktivitete të numërta kulturore, ua kanë dhënë mundësinë qytetarëve dhe vizitorëve të Prizrenit që ta rizbulojnë këtë vendbanim të moçëm.

Në natën që lidh të shtunën me të dielën është jetësuar edicioni i parë Nuit Blanche (Nata e Bardhë), që është prezantuar me temën “Qyteti i hapur”. Njëra prej rrugëve me qarkullimin më të madh të automjeteve në këtë natë është mbyllur për mjetet motorike. Në këtë rrugë në afërsi të Urës së Gurit është bërë hapja e Natës së Bardhë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, bashkë me ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, përfaqësuesen nga Komuna e Parisit, Isabelle Mallez, si dhe drejtoreshën e Aleancës Franceze, Anne-Sophie Veyrier, kanë uruar mirëseardhjen në edicionin e parë të ngjarjes kulturore dhe të artit bashkëkohor Nuit Blanche Prizren. Sipas njoftimit të Komunës, kjo ngjarje “organizohet për herë të parë në një qytet nga Ballkani dhe njëkohësisht e fut Prizrenin në hartën e qyteteve ndërkombëtare, ku organizohet ky aktivitet, si Parisi, Roma, Toronto e Madridi”.

“Një falënderim i veçantë për këtë i takon edhe nënkryetarit të Parisit, Christoph Girard, i cili e inicioi këtë organizim dhe mundësoi që ai të mbahet në qytetin tonë”, ka thënë kryetari Haskuka.

Doruntina Kastrati, Driton Selmani, Naime Perrette, Olson Lamaj, Yo-Yo Gonthier janë artistët që kanë realizuar intervenime artistike për të hapur dialogun mes asaj që shihet dhe asaj që perceptohet si hapësirë e përbashkët e qytetit.

Nata e Bardhë organizohet çdo vit nga Komuna e Parisit dhe mbahet në dhjetëra qytete të botës.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")