Kulturë

Shoshi: Ndërhyrjet në Kala, joprofesionale që nga fillimi

Foto: Driton Paçarada / KD

Problemet në konservimin e restaurimin e Kalasë së Novobërdës kanë nisur që në fillim. Ende pa nisur puna në lokalitet, hapa të gabuar janë bërë në projektim. Kjo, sipas arkitektit Sali Shoshi, është zanafilla e krejt telasheve të mëvonshme.

Në intervistën për temën e javës te “E diela me Kohën Ditore”, Shoshi, i cili udhëheq me degën në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ka thënë se projekti që Kalasë t’i kthehet pamja e disa shekujve më parë bie ndesh me dokumentet ndërkombëtare, që e rregullojnë këtë fushë.

Sipas tij, Karta e Venedikut lejon rikonstruktimin në rast që lokaliteti është rrënuar nga ndonjë fatkeqësi e rastit, siç mund të jetë tërmeti. Në raste të tilla, sipas Shoshit, rikonstruktimi është i menjëhershëm.

Thotë se Karta e Burras lejon rikonstruktimin në rast se kërkohet për t’u përshtatur për nevojat e reja të rijetësimit të monumentit.

“Rikonstruktimi, sipas këtij dokumenti, duhet të bëhet në atë mënyrë që të jetë plotësisht i dallueshëm nga strukturat origjinale”, ka thënë ai. Por në rastin e Kalasë së Novoberdës nuk ka rijetësim, pasi monumentit nuk i është ndërruar funksioni. Shoshi ka bërë përgjegjës institucionet vendore për gjendjen e krijuar e po ashtu edhe UNESCO-n, që ka kontraktuar kompaninë punëkryerëse dhe ka mbikëqyrur punimet. Teknikat e gabuara, përdorja e çimentos e rritja e lartësisë së mureve, sipas tij, kanë sjellë shembjet. Sipas tij, duhet bërë një raport i detajuar nga një komision i pavarur në mënyrë që të evidentohen të gjitha problemet dhe të gjendet rrugëdalja.

Kallëzimin penal të Ministrisë së Kulturës ndaj kompanisë punëkryerëse “Koto” me seli në Beograd, e ka parë si diçka pozitive, megjithëse nuk ka besim se institucionet e drejtësisë kanë kapacitet për t’u marrë me rastet që lidhen me trashëgiminë kulturore.

KD: Jemi në rrethana kur institucionet e vendit kanë ndaluar punën për sanimin e dëmeve në Kala të Novobërdës. Përtej kësaj, Ministria e Kulturës ka bërë edhe një kallëzim penal ndaj kompanisë punëkryerëse. Si ju duken këto veprime të shtetit në raport me procesin e restaurimit dhe konservimit të Kalasë së Novobërdës?

Shoshi: Ndalja e punëve është një lajm i mirë. Që nga fillimi, ne kemi parë që punët në Kala janë përcjellë me shumë probleme. Unë do t’i veçoja dy më kryesore: E para, Kalaja e Novobërdës është një peizazh arkeologjik.

Kur them peizazh arkeologjik, mendoj në një strukturë ndërtimore, e cila me kohë ka ndryshuar duke i humbur elementet e saj përbërëse strukturore dhe duke u shndërruar në rrënojë. Kjo pamje rrënojë, e integruar në mjedisin e saj, është ajo që gjeneratat tona jemi mësuar ta shohim. Dhe çka ndodh? Na vjen një projekt, e cili e parasheh rindërtimin e saj duke e “rikthyer” në pamjen e saj të shekujve më parë.

Kjo qasje është në kundërshtim me dy dokumente ndërkombëtare, që e rregullojnë këtë fushë: Karta e Venedikut, e cila e lejon rikonstruktimin (anastilozën) në rast që lokaliteti është rrënuar nga ndonjë fatkeqësi e rastit (për shembull tërmet) dhe se rikonstruktimi është i menjëhershëm (jo pas disa shekujve), dhe Kartën e Burras, e cila lejon rikonstruktimin në rast që ky kërkohet për t’u përshtatur për nevojat e reja të rijetësimit....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)