Kulturë

Ministria në pritje të tri projekteve ideore për Teatrin e Operës

Descriptive Text

Prishtinë, 10 shtator – Tri kompani ndërkombëtare do t’i kenë 40 ditë afat për të prezantuar projektin ideor për teatrin e operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”.

Deri në këtë pikë ka ardhur Ministria e Kulturës, pasi që i është kthyer këtij projekti fiks një dekadë prejse u vendos guri themeltar i ndërtesës. Pas prezantimit të projektit ideor, kompania fituese do të hartojë atë detaj për t’i hapur rrugë një konkursi tjetër ndërkombëtar për ndërtimin e objektit, shkruan sot Koha Ditore.

Me konkursin që ishte hapur prej 11 deri më 27 korrik, MKRS-ja i ishte rikthyer edhe vendit ku u shpenzuan kot mbi një milion euro për gurin themeltar e projektin që ka rënë në ujë. Tash konkursi ndërkombëtar për “zhvillimin e projektit konceptues dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit për Operën dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë” parasheh vlerën e projektimit 2 milionë euro, ndërkohë që Ministria e Kulturës i ka hyrë këtij projekti me 100 mijë euro buxhet për këtë projekt kapital e duke llogaritur edhe në 500 mijë të tjera nga të hyrat nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Në kohën e hapjes së konkursit, pranvera e vitit të ardhshëm ishte përmendur si afat për rifillimin e punimeve.

“Qëllimi i kësaj kontrate është ofrimi i shërbimeve të specializuara arkitekturore dhe inxhinierike për zhvillimin e projektit-koncept dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit për Operën dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Një listë e detajuar e kërkesave për shërbime do të jetë subjekt i dorëzimit vetëm tek Respondentët e Kualifikuar në Fazën I”, shkruhet në konkursin ku nuk përmendet “Dr. Ibrahim Rugova”, siç ishte emëruar teatri i operës dhe baletit.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënë se janë 40 ditë afat nga fundi i javës së kaluar për hartimin e projektit ideor apo koncept-dizajnit.

“Prezantohen projektet ideore dhe pastaj zgjidhet një. Do të ketë një komision profesional me njerëz të fushave të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë lloj projekti. Kompanitë e kualifikuara, që janë tri, i sjellin ofertën financiare dhe projektin ideor. Oferta financiare nuk është determinuese e fituesit. Më pas kompania fituese e bën projektin detaj dhe për ndërtimin e objektit do të ketë konkurs ndërkombëtar”, ka thënë Firzi.

Gazeta ka raportuar se në garë kishin paraqitur tenderët e tyre kompanitë: “Mangera Yvars Architects”, “Oneworks & Spa & A”, “Chapmantaylor & Green Door” dhe “MVRDV”.

Ministria e Kulturës ia ka mësyrë që ta realizojë projektin në hapësirën afër Fakultetit Teknik të universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Për këtë nuk është konsultuar me Komunën e Prishtinës.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")