Kulturë

Diskutime e lexime në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip

Sot (e shtunë, 13 maj), në ditën e dytë të festivalit polip, janë paraparë të mbahen dy panele diskutimesh, kurse në mbrëmje do të vazhdojnë leximet e autorëve dhe pjesa muzikore.

Paneli i parë “Gjinia, Letërsia dhe Media: eksperiencat e ekzilit” fillon sot, nga ora 16:00, në Qendrën Multimedia, me panelistë: Aïcha Arnaout, Entela Tabaku Sörman, Kefah Ali Deeb (nga Siria), Gani Jakupi (artist Kosovar që jeton në Barcelonë) dhe Bernhard Studlar (nga Austria). Paneli moderohet nga Eli Krasniqi. Aïcha Arnaout është shkrimtare e njohur siriane me origjinë nga Kosova. Ajo tash e shumë vite jeton e krijon në Francë. Entela Tabaku Sörman është shkrimtare shqiptare e cila jeton dhe krijon në Suedi.

Paneli i ditë “Fuqia nga fanatizmi- definimi i furisë së të djathtës”, fillon nga ora 18:00, kurse panelist janë shkrintari i famshëm amerikan, fitues i çmimit Pulitzer, Gregory Pardlo, pastaj shkrimtari best-seller nga Izraeli Nir Baram dhe shkrimtari i mirënjohur grek Theodoros Grigoriadis. Paneli do të moderohet nga Una Hajdari.

Për të dy panelet do të ketë përkthim në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze.

Në mbrëmje ndërsa do të vazhdohet me programin muzikor dhe të leximeve. Muzikë do të bëj Krajl Çaçka nga Serbia, kurse lexojnë shkrimtarja shqiptaro-suedeze Entela Tabaku Sorman, Nina Cara nga Shqipëria, shkrimtari e publicist Kosovar Bardh Frangu, poeti i njohur Kosovar Arben Idrizi, shkrimtari grek Theodoros Grigoriadis, shkrimtarja siriane Kefah Ali Deeb dhe shkrimtari austriak Bernhard Studlar.

Mbrëmja do të mbyllet me prezentimin e këngëtares dhe artistes nga Kosova që jeton në Gjermani, Fatime Kosumi.

Hyrja në të gjitha aktivitetet e festivalit polip është gratis. Përkthimi bëhet në gjuhën shqipe dhe angleze.