Blerta Hoçia është lindur më 1984 në Tiranë. Ajo është artiste dhe kuratore nga Shqipëria, e cila jeton në Prishtinë.
Ajo ka përfunduar studimet në degën Teknikat e Pikturimit në Akademinë e Florencës në Itali. Më parë ajo ka qenë kuratore në galerinë “Miza”, një hapësirë artistike në Tiranë, dhe ka qenë drejtuese e arkivit të muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi”. Ajo ka qenë pjesë e disa ekspozitave personale dhe kolektive.
Ekspozitat e saj personale janë: “The Demiurge”, “Sala Rosa”, “In the abstence of external forces do not possess my own form”, “I thought of you so hard”. Hoçia ka qenë kuratore e disa ekspozitave, në mesin e tyre: “Soft Meal”, “Long Live”, “Once Upon a time and Never Again”, “Humanitarian Law Center Kosovo”. Ajo ka qenë pjesë e disa ekspozitave kolektive dhe panaireve të artit, si: “Emergenz” në Berlin (2013), “Supermarket” në Stockholm (2015), “Parallel” në Vienna (2017), Ardhje – Tiranë (2014) dhe Çmimi Muslim Mulliqi në Prishtinë (2018).
Ajo po ashtu është e fokusuar në procesin kreativ të kujtesës, se si ne përballemi me të në jetën private, por edhe në shoqëri. Puna e saj tenton që të krijojë një dialog ideal me të kaluarën. Ajo punon me arkiva personale po ashtu edhe me ato publike digjitale apo analoge.
Hoçia është personazh i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Atlantida është qyteti i mistershëm, i zhdukur tashmë. Mbi të kanë mbetur vetëm legjendat, por Atlantida për mua është plazhi në Kepin e Rodonit, pranë Kishës së Skënderbeut. Atlantida është vera më e bukur. Është një cover i “I‘m on fire” e Bruce Springsteen dhe një nostalgji për diçka që s’e kam jetuar kurrë.
Në Atlantidë kishte vetëm një lokal peshku dhe disa çadra për të kaluar natën. Herën e parë që shkela në Atlantidë dikush më lexoi të ardhmen në filxhanin e kafesë. Atlantida ishte magjike, dhe si qytet i mistershëm edhe ajo u zhduk. Plazhi në Kepin e Rodonit afër Kishës së Skënderbeut është akoma aty. Por Atlantida është zhdukur tashmë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”)