Kulturë

“Shpija e Agës” me traumat dhe jetën përtej dhimbjes

Foto: Koha

“Sukses i kinematografisë së Kosovës” ishte konsideruar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, premiera e filmit “Shpija e Agës” në Karlovy Vary. Filmi hapi konkurrencën “East of the West” të edicionit të 54-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Karlovy Varyt në Çeki, që nisi më 28 qershor e përfundoi më 6 korrik.

Pas këtij rrugëtimi, “Shpija e Agës’ filmi i gjatë debutues i regjisores nga Kosova, Lendita Zeqiraj do të mundë të shikohet edhe nga publiku vendas. Për dy javë, duke filluar nga 20 gushti ai do të shfaqet në dy terminë në Cineplexx, shkruan sot “Koha Ditore”.

Filmi “Shpija e Agës” sjell historinë e disa grave që jetojnë në një shtëpi të përbashkët. Regjisorja Zeqiraj përmes filmit sjell pjesë të jetës së përditshme të personazheve të saj. Jeta e grave fillon me të qeshura, duke bërë shaka, e duke kënduar mirëpo prapa këtij imazhi të lumtur fshihen akoma plagët dhe traumat që kanë ato. Në premierën për media të filmit “Shpija e Agës”, të hënën në Cineplexx, Zeqiraj ka thënë se ajo nuk ka pasur sesi të ikë nga problemet, sfidat dhe gjërat që e rrethojnë atë dhe shoqërinë në Kosovë. Disa nga temat të cilat nuk diskutohen në Kosovë ajo i shpalos në filmin e saj.

Image

Skenarin e filmit “Shpija e Agës” e ka bërë vetë Zeqiraj. Sipas aktores Shengyl Ismaili, e cila portretizon jetën e Kumrisë - një e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe njëkohësisht nëna e Agës – Zeqiraj përmes skenarit përtej historive të dhimbshme tregon që ka jetë.

Aktorja Adriana Matoshi, e cila portretizon Lumën - një grua e cila është martuar nga babi i saj në këmbim të disa të hollave, e që më pas është keqtrajtuar nga burri – ka treguar se për rolin e saj është bazuar vetëm në udhëzimet e regjisores.

Aga (Art Lokaj) një djalë 9-vjeçar, kërkon vazhdimisht babën e vet për të cilin mendon se është hero dhe i burgosur në Serbi.

Producenti i filmit, Bujar Kabashi, duke u rikthyer te premiera botërore e filmit në Karlovy Vary, është shprehur se kanë qenë të befasuar nga prezenca e madhe e publikut ku nga tri shfaqje janë shtuar edhe dy.

“Rrugëtimi i ardhshëm i ‘Shpisë së Agës’ fillon në shtator në Maqedoni “Manaki Brothers Film Festival”, pastaj në Kazakistan, Kanada, Slloveni, Gjermani e Spanjë. Janë rreth 35 festivale që i kemi të planifikuara”, ka thënë ai.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)