Kulturë

Konservuesit restaurojnë pikturën që mendohet të jetë e skllavërisë

Në prag të Ditës së përvitshme të përkujtimit të ndalimit të tregtisë me skllevër, konservuesit e artit po punojnë për restaurimin e një pikture të rrallë të një skllavi të gjunjëzuar afrikan, e cila do të shfaqet në qytetin port të Liverpoolit.

E marrë nga “International Slavery Museum” në vitin 2018, piktura “A nuk jam burrë dhe vëlla” paraqet një afrikan të skllavëruar, që rri gjunjazi, i prangosur me zinxhirë teksa shikon qiellin, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Mbështetet në një dizajn të mbikëqyrur nga Komiteti për Ndalimin e Tregtisë me Skllevër në vitin 1787 dhe ishte përdorur nga Josiah Wedgwood si fushatë kundër skllavërisë, duke e bërë atë si një prej shembujve të parë të përdorimit të një logoje për qëllime politike.

“Ne kemi bërë një goxha konservim të rëndësishëm të pikturës”, ka thënë për Reuters, Laura Pye, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Liverpoolit. “Ekipi i konservimit ka bërë një punë të pabesueshme të pastrimit të saj. Mendoj se nuk është askush që e ka parë pikturën ashtu siç duket tani”.

23 gushti është Dita ndërkombëtare për përkujtimin e tregtisë me skllevër dhe ndalimit të saj. Piktura ende po restaurohet dhe synohet që ajo të shpaloset më vonë gjatë këtij viti.

Me depërtimin më të madh që njihet në histori, armët dhe baroti nga Evropa ishin këmbyer për miliona skllevër afrikanë që ishin bartur me anije përgjatë Atlantikut në Amerikë.

Miliona burra, gra e fëmijë afrikanë ishin rrëmbyer nga shtëpitë e tyre dhe ishin futur nën zgjedhën e një prej tregtive më brutale globale mes shekujve pesëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë. Shumë prej tyre vdiqën në kushte të pamëshirshme.

Ata që shpëtuan të gjallë kaluan një jetë nën zgjedhë në plantacionet e sheqerit, duhanit dhe pambukut. Britania ka ndaluar tregtinë transatlantike të skllevërve në vitin 1807, sado që ndalimi i plotë i skllavërisë nuk ngjau edhe për një brez tjetër.