Kreshnik Musolli u lind më 12 shkurt 1991 në Prishtinë. Kualifikimet dhe performanca e tij nisën me shkollën e muzikës, në degën e baletit në “Prenk Jakova” në Prishtinë, 2009, për të vazhduar studimet universitare për regji teatri në Fakultetin e Arteve, në klasën e profesorit Fadil Hysaj.
Ka nisur punën si balerin e solist profesionist në Baletin Kombëtar të Kosovës në vitin 2008. 35 shfaqje artistike për 9 vjet shënojnë karrierën e tij të deritanishme. Është vlerësuar nga kritika vendore dhe përtej saj. Është angazhuar dhe në projekte teatrore si regjisor, balerin, por dhe si asistent koreografie brenda dhe jashtë vendit.
Është pjesë e festivaleve në Ohër, Apoloni, Shkup, Elbasan, Prishtinë, Cyrih, Austri, Bullgari, Itali, Turqi e vende të tjera, shkruan sot Koha Ditore.
Ka luajtur në shfaqjet "Lidhja", "Dashuria që vret", "Vallëzimi me hënën", "Balloja e diplomës", "Don Kishoti", "Dasma", "Fluturimi drejt dritës", "Aty ku drita bie", "Coppelia", "Liria ime", "Verdi Requiem", "Kopshti i shpirtrave", "Tregimi yt, tregimi im", "La Sylphide", "Othello", "Ngjyrat e vallëzimit", "Spartaku”, "Strawinsky & Ravel", "Netët arabe", "Xhulieta pa Romeon", "Giselle", "Rikompozim", "Drejtësi tranzicionale", "Vajza e braktisur" e të tjera. Vitin e kaluar ka debutuar si koreograf me shfaqjen “Andërr”.
Baleti është arti më i vështirë e më i bukur skenik. Një koordinim mes trupit e mendjes, një harmoni e plotë mes tingujve të muzikës dhe lëvizjeve plot sharmë.
Skena është një podium i shenjtë ku shfaqen veprat e artit performues, që janë në shërbim të audiencës, përmes së cilës edhe e sjellin në jetë një vepër teatrore.
Teatri është vendi i artit në përgjithësi dhe medium i cili lindi qysh në Greqinë e lashtë si vend në të cilin njerëzit shkonin të pastronin e të ripërtërinin shpirtin përmes shfaqjeve, si dhe të ngrinin intelektin e tyre.
Përkushtimi. Në jetë nuk ka asgjë nëse nuk ka përkushtim të plotë. Nuk mund ta gjejmë e ta shfrytëzojmë maksimumin e vetes pa iu përkushtuar asaj pune që ne e duam në mënyre maksimale...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)