Kulturë

Kosova në hartën kulturore me turizmin urban dhe manastiret

Descriptive Text

Vetëm 9 kilometra në juglindje të Prishtinës, Manastiri i Graçanicës është kthyer në një nga vendet më të vizituara në Kosovë. Me tri apsida nga ana lindore, për historianët e artit kishtar ky manastir paraqet një nga shprehjet më të bukura të arkitekturës bizantine. Ndonëse ngrehina mori formë në vitin 1321, mendimi i gjithëpranuar është se në zanafillë të saj qëndrojnë themelet e një bazilike paleokristiane. Madje edhe një dokument sllav i vitit 1321 tregon se Graçanica u lartua mbi mbetjet e tempullit të moçëm të Shën Mërisë, shkruan sot Koha Ditore.

I përfshirë qysh nga viti 2006 në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Manastiri i Graçanicës vetëm gjatë vitit të kaluar pati mbi 100 mijë vizitorë. Boban Petroviq, drejtor i Organizatës Turistike në Komunën e Graçanicës, ka thënë se institucionet lokale po përpiqen t’i bëjnë sa më të qasshme atraksionet kulturore.

“Komuna ka infrastrukturë të përshtatshme për lehtësimin e turizmit. Rrugët që çojnë drejt të gjitha atraksioneve turistike në Komunën tonë janë të gjitha të reja. Që nga viti 2018, Organizata e Turizmit dhe Komuna e Graçanicës, me një donacion nga Swisscontact, kanë vendosur edhe shenja informuese për turistët në tri gjuhë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kuvendi Komunal në gusht të vitit 2016 kishte miratuar strategjinë për zhvillimin e turizmit në këtë komunë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)