Kulturë

Hulumtimi artistik si veprimtari e re në Ballkan

Prishtinë, 16 gusht – Hulumtimi artistik në Ballkan është diçka e re. Në kuadër të programit të sivjetmë të Shkollës Verore si shkollë, në qendrën për art bashkëkohor “Stacion”, Suzana Milevska ka ligjëruar për diçka që e ka konsideruar urgjente e që sipas saj është arti i realizuar në bazë të hulumtimeve apo kërkimi artistik. Të mërkurën mbrëma Branimir Stojanoviq ka ligjëruar për projektin e tij “Të gjithë flasin” se si i sheh ai artin, artistin dhe kush, sipas tij, e realizon artin.

Milevska me temën e saj "Kalokagathia: Mbi mundësinë për të menduar së bashku për estetikën dhe etikën në kërkimin artistik", është përqendruar në debatin e vazhdueshëm në lidhje me marrëdhëniet reciproke dhe tensionet midis kategorive të së bukurës dhe së mirës, midis formës dhe përmbajtjes, dallime të tjera të vazhdueshme, por të bëra artificialisht dhe dikotomitë në art. Sipas saj, është e rëndësishme që artistët të mos përfundojnë duke bërë të bukur diçka që është në të vërtetë e shëmtuar. Duke diskutuar për këto kategori, ajo ka treguar sesi ishte larguar nga një ekspozitë në Barcelonë menjëherë pasi që kishte hyrë.

Suzana Milevska është historiane arti dhe kuratore nga Shkupi. Interesimi i saj kuratorial përfshin kritikën postkoloniale të regjimeve përfaqësuese të fuqisë hegjemoniste, ndryshimin gjinor dhe artin feminist, ndërtimin e kujtesës vizuale në imazhet fotografike dhe arkivat, artin në shoqëritë postsocialiste dhe në transicion.

Në anën tjetër Branimir Stojanoviq, i cili edhe më parë ka qenë në Prishtinë, ka pikëpamje më abstrakte për artin.

Branimir Stojanoviq (1958) jeton dhe punon në Beograd. Në punën e tij midis filozofisë, psikanalizës dhe artit, ai merret me praktikat e shkrimit dhe me ndërhyrjet konceptuale-politike në kontekste institucionale të filozofisë, artit dhe psikanalizës.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")