Kulturë

“DokuFesti” sjell arritjet kulmore të botës kinematografike

Prishtinë, 29 korrik – Se “DokuFesti” tashmë është destinacion i filmbërësve botërorë, dëshmia e radhës është edhe edicioni i 18-të. Prej të premtes Prizreni do të shndërrohet në kryeqendër të filmit, përderisa aty do të jenë edhe filma emrash të njohur, fitues çmimesh, si ai “Oscar”. Do të sjellë arritjet kulmore të kinematografisë, por misioni nuk përfundon me kaq. Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar, sivjet synon të depërtojë edhe në lagjet periferike të qytetit dhe ka një arsye për këtë, shkruan sot Koha Ditore.

Mbi 280 filma dokumentarë, si dhe një përzgjedhje e veçantë e filmave të shkurtër dhe të kinemasë eksperimentale, që vijnë nga 40 shtete të ndryshme, do të jenë pjesë e programeve garuese dhe atyre speciale. Do të ketë edhe punëtori, program të muzikës, panele dhe masterklase të ndryshme.

Detaje si këto janë dhënë të hënën në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë. Aty është folur edhe për temën e sivjetme – e vërteta. Në një vit dhe në një botë të dominuar nga histeria e lajmeve të rreme, “DokuFest” i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme, dhe mënyrën se si kjo ndikon tek të gjithë. Kjo do të arrihet përmes një programi të filmave radikalë, dhe me një numër folësish që do të diskutojnë nocionin e së vërtetës, si në kinema ashtu edhe në botë dhe përmes një programi të ekspozitave, ligjëratave nga artistë të ndryshëm, punëtori, si dhe performancave muzikore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)