Projekti për Muzeun e artit bashkëkohor – 12 vjet i harruar

Projekti për Muzeun e artit bashkëkohor – 12 vjet i harruar

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 25 July 2019 08:28

Prishtinë, 25 korrik – Muzeu i artit bashkëkohor është një nga projektet e Ministrisë së Kulturës që ka mbushur më shumë se një dekadë që qëndron në sirtar. Krahas kësaj, janë bërë 12 vjet prej kur institucioni më i lartë kulturor në vend çdo vit ndan buxhet duke e renditur këtë si projekt kapital. Janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar Muzeun e Artit Bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.

Por prejse është projektuar, punët rreth këtij projekti nuk kanë shkuar mirë. Tash, kur institucionet kanë dështuar që t’i mbajnë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” qe dakorduar që të ndante tokën brenda kampusit të vet për ndërtimin e tij. Por Ministria e Komuna e Prishtinës prej vitit 2011 akuzojnë njëra-tjetrën se ndërtimi nuk po nis. Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e Muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, kishës ortodokse të ngritur pa leje dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit, që është ngritur në gjashtë kate.

Tash Ministria e Kulturës, që për këtë vit ka ndarë 50 mijë euro për këtë projekt, nuk e ka idenë se çfarë do të bëjë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, të mërkurën i ka thënë gazetës se projekti do të ecë përpara. Por ai nuk ka pasur një përgjigje konkrete se çfarë do të bëhet.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme