Kulturë

“Rojo” me fajtorët prapa diktaturës

Kur një shtet e mbërthen diktatura, kush i ka, ose më mirë, kush nuk i ka fajet? Kjo është çështja që e dridh zemrën – tap-rrap – gjatë krejt trilerit “Rojo”, një vizion i jetës së përditshme në mes të viteve shtatëdhjetë në Argjentinë.

Për një qytetar të denjë, si puna e Claudios (Dario Grandinetti), ajo jetë duket e respektueshme, e qetë dhe pa telashe. Ai ka një familje me rehati, avokaturën dhe shtëpinë e këndshme. Aty, nganjëherë, bëjnë jetë qejfi ai dhe gruaja, duke ngrënë tortë dhe duke luajtur shah përderisa i shmangen muhabetit për terrorin e shtetit dhe zhdukjen e bashkatdhetarëve.

Skenaristi dhe regjisori Benjamin Naishtat refuzon që t’i ikë diçka në “Rojo”, duke i shkuar deri në fund jetës së Claudios lidhur me ngjarjet që duket se nuk kanë kurrfarë lidhjesh në shikim të parë. I xhiron edhe kur duken krejt të zakonshme, por edhe kur janë të jashtëzakonshme, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Me kamerën që shpesh xhiron prej një këndi në lëvizje, mund ta shihni Claudion duke luajtur tenis, duke i dhënë makinës, apo duke ngrënë drekë.

Duket se gjithçka po shkon fjollë me jetën e tij, përfshirë edhe mustaqet e holla të tij dhe qeshjen e madhe. Por ka diçka që zien përbrenda përtej asaj çfarë shihet së jashtmi. Claudio ndihet fikall vetëm derisa po drekonte në një restorant përderisa të gjithë të tjerët po qeshnin si të ishte ndonjë koordinim konspiracioni.

Psikologjia e masës e fashizmit, nëse do ta përdornim prej teoricienit austriak, Wilhelm Reich, është në zemër të “Rojos”, megjithëse askush nuk valon ndonjë baner. Nuk ka përmendje të drejtpërdrejtë të forcave ushtarake që shumë shpejt do ta marrin kontrollin e vendit ose operacionin “Kondor”, një program i vrasjes kolektive që Argjentina dhe qeveritë e tjera të Amerikës Jugore e kishin institucionalizuar si pjesë të përpjekjes së rajonit për të hequr qafe disidentët majtistë. Në vend të kësaj ishte përshtatur një qasje e qasshme që kishte krijuar një narracion të vetin.

Dhe gjërat ndodhin krejt papritur. Ka komente dashakëqija, shikime tinëzare dhe thashetheme konspiracionesh. Një shtëpi e boshatisur. Dhe është e habitshme, por e kuptueshme, se si këto incidente bëhen pjesë e jetës së Claudios, pasi që janë gjëra që nuk mund të shmangen prej jetës personale të gjithsecilit. Duke punuar në ndërthurjen e frymës së përgjithshme kinematografike, Naishtat oscilon ndërmjet të dukshmes dhe ambiciozes, njëherësh duke iu shmangur mesazheve politike.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)