Kulturë

Gjellëbërësi i recetave sekrete të tri gjeneratave

Foto: Koha

Nuk janë të pakta rastet kur jo vetëm prejardhja familjare, por edhe ajo gjeografike ta determinon në masë të madhe përcaktimin për rrugëtimin e jetës. Kështu ka ndodhur për së paku tre breza, në familjen Velia. Zanatin e gjellëbërësit e kishte nisur gjyshi Musa, e kishin vazhduar të katër djemtë e tij.

Në mesin e tyre edhe Ismeti, babai i Mustafës, 33-vjeçarit që tash ka barrën e vazhdimit të kësaj tradite. Ndonëse i lindur në Prishtinë, ai shfaq krenarinë që është goran, e thotë se fshati prej nga e ka prejardhjen, Radesha, është njëshi për këtë profesion, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjellëtorja e tij në qendër të Prishtinës thirret “Mediteran”, por Velia thotë se shumica thonë: “Po shkojmë të hamë te ai gorani”.

Zanatin që e ka e kategorizon tek ato të vështirët, por thotë se si çdo zanat tjetër duhet të bëhet me vullnet e dëshirë.

Thotë se sot është shumë e lehtë të mësosh të përgatisësh diçka nga kuzhina italiane. Por konstaton se është e vështirë që ta ruash atë që është tradicionale e vendit, e që përgatitet me dekada. Shija e sotme e paqës, pasulit e gullashit në “Mediteran” dallon vetëm në nuanca me atë që gjyshi i Mustafës e ka bërë nja 60 vjet më parë.

Tradita e një zone

Nuk është vetëm shija e gjellëve ajo që mund të konsiderohet monumentale në lokalin e Mustafë Velisë. Edhe ambienti është një retrospektivë në shekullin e kaluar. Ka pesë vjet që kjo familje veprimtarinë e ushtron në një hapësirë të Shoqatës së Pensionistëve, buzë rrugës “Agim Ramadani”. Kësisoj shumica e myshterinjve të lokalit janë të moshës së shtyrë, ndonëse Velia thotë se ka edhe shumë të rinj që e frekuentojnë këtë restorant.

“E kemi marrë me qira prej Shoqatës së Pensionistëve këtë hapësirë, dhe kemi bërë disa çmime shumë më të lira për të bërë një të mirë edhe për pensionistët. Vijnë edhe të rinj, por shumica nuk vijnë se thonë ‘çka me kërku aty ngat pensionerëve’”, thotë Velia, që megjithatë nuk gjykon askënd për këtë. Por ajo që thotë se mund të garantojë janë shija dhe kualiteti.

“Një kohë e kemi pasur në qendër të Prishtinës dhe kemi pasur shumë myshterinj”, thotë ai.

Si do që të jetë, Velia kthehet prapa në histori, për të treguar se gjyshi i tij, lokalin e parë në Prishtinë e kishte në vendin e njohur si “Te Plepat” dhe thirrej “Kuzhina Rinia”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)