Kulturë

Juria përzgjedh projektin ideor për shtatoren e Demaçit

Juria për vlerësimin e propozimeve për shtatoren e Adem Demaçit është përcaktuar për bocetën, prej së cilës do të skulpturohet shtatorja e ardhshme. Një bocetë që paraqet veprimtarin e njohur kombëtar me dorën në zemër e një libër në dorë duket se i ka gjasat më të mëdha që të jetë shtatorja e parë në kryeqytet për të, shkruan sot Koha Ditore.

“Koha Ditore” ka siguruar njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues nga Zyra e kryeministrit të Kosovës bashkë me vlerësimet artistike të secilit prej anëtarëve të jurisë. Ndonëse fituesi do të shpallet pas vlerësimit financiar, projekti ideor me kodin identifikues 6669 ka marrë më së shumti pikë. Siç ka marrë vesh gazeta, ky është propozimi i skulptorit Gëzim Muriqi.

Sipas njoftimit të Autoritetit Kontraktues, vepra me kodin e identifikuar ka grumbulluar gjithsej 61.60 pikë, e pasuar nga vepra me kodin identifikues 0203. Ndonëse nuk përmenden emrat e autorëve, me këtë shifër ka konkurruar Agon Qosa. Ka marrë 38.08 pikë.

Edhe pse ende nuk është shpallur përfundimisht fituesi, vlerësimi i jurisë peshon 70 për qind kundrejt 30 për qind të vlerësimit financiar, që do të bëhet në ditët në vazhdim. I takon Zyrës së Prokurimit të Ekzekutivit që ta bëjë këtë vlerësim. Në garë kanë qenë shtatë propozime.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)