“Anibari” synon të nxisë edhe të shkruarit

“Anibari” synon të nxisë edhe të shkruarit

Alberina Haxhijaj 18 July 2019 08:13

Pejë, 18 korrik – Tetë të rinj nga vende të ndryshme janë bërë bashkë në Pejë për të mësuar më shumë sesi të shkruajnë një kritikë për film, por edhe sesi të raportojnë nga një festival. Kjo masterklasë po mbahet në kuadër të edicionit të dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar.

Olga Bobrowska nga Polonia, e specializuar në fushën e filmit, ia ka vënë synim vetes dhe grupit të saj që brenda gjashtë ditëve të arrijnë të nxjerrin shkrime që vënë në pah punën e Festivalit, por edhe t:e cilat vlerësojnë filmat të cilët janë shfaqur gjatë këtyre ditëve.

Qëllimi i tyre është, po ashtu, që të kuptojnë se çfarë organizate është “Anibari” dhe çfarë ndikimi ka ky festival në shoqëri. Përmes kësaj perspektive, që vjen nga njerëz të cilët nuk janë nga Kosova apo që janë nga Kosova por jo nga qyteti nikoqir i Festivalit, pjesëmarrësit në masterklasë synojnë të zbërthejnë sesi arti mund të përdoret si një mjet për të ndërgjegjësuar shoqërinë. E zëshme për këtë është edhe Bobrowska, e cila tashmë u ka thënë udhëzimet për draftin e parë të punës, që duhet t’ua dorëzojnë pjesëmarrësve. Këto çështje për të cilat ata do të hulumtojnë, kanë ardhur si rezultat i takimit të parë të këtij grupi, të mbajtur të martën në Shkollën e Mesme të Muzikës në Pejë. Bobrowska është kandidate për doktoraturë për Studime Filmi në universitetin “Jagiellonian” të Krakovës dhe është e specializuar në filmat e animuar klasikë kinezë. Ajo është po ashtu drejtoreshë e festivalit dhe bashkëthemeluese e “StopTrik International Film Festival”, që i kushtohet animacionit “stop-motion”. Komentet dhe analizat e saj janë publikuar në revista filmash, siç janë “Kino”, “Ekranu”, “Zippy Frames” dhe “ASIFA Magazine”.

Në mesin e pjesëmarrësve është edhe Aleksandra Sokoloviq nga Serbia. Ajo ka studiuar shkenca politike dhe ka punuar në gazetari.

“Kur kam punuar si gazetare, jam marrë me lajme ditore dhe tema të përditshme, kështu që kjo ishte diçka shumë ndryshe, diçka që kam dashur që të eksperimentoj pasi që asnjëherë nuk jam marrë me kritikë të filmit më parë. Një motivacion i madh për të marrë pjesë”, ka theksuar ajo.

Sokoloviq është duke përcjellë filmat e Festivalit për të cilët më pas do të shkruajë kritikë. Gjithë kjo punë i ka lënë shumë pak kohë për ta parë qytetin e Pejës.

Në mesin e pjesëmarrësve është edhe Kleidi Eski, regjisor animacioni nga Shqipëria. Ai deri tani ka realizuar disa filma me metrazh të shkurtër të animuar si “Romancë moderne” dhe “100 kafe”.

“Shpeshherë është e rëndësishme që të zhvillojmë një perspektivë tjetër të të analizuarit të filmit si medium, në mënyrë që të kuptojmë më mirë edhe profesionin tonë si krijues. Puna që po bëjmë këtu është që po ndjekim disa nga filmat e programit, dhe duke i analizuar e duke shkruar për ta në bazë të disa kritereve dhe aspekteve”, ka thënë ai. Eski, po ashtu, ka realizuar edhe videoklipe me animacion për këngëtarë të ndryshëm, si për këngëtaren e njohur Elina Duni. Së fundi ai është duke punuar edhe në një film të ri të animuar. Punës së krijimit do t’i rikthehet përsëri pas kësaj aventure në gazetari në kuadër të “Anibarit”.

Mungesa e kritikës së filmit, por edhe e kritikës së artit pamor e të teatrit, disa herë është cilësuar si pikë e dobët që ndikon edhe në zhvillimin e këtyre zhanreve në përgjithësi.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme