Kulturë

Lipa: Qëllimi i “Sunny Hill”-it është të shpërfaqë një imazh tjetër të Kosovës

Në këtë hapësirë, vitin e kaluar, vuri themelet festivali që i dërgoi botës një fotografi tjetër të Kosovës së pasluftës.

“Sunny Hill Festival”,me një spektakël të përmasave botërore e përmbysi imazhin e shtetit të izoluar.

Dua Lipa, Action Bronson e Martin Garrix me performancat e tyre e vunë Prishtinën në hartën e metropoleve botërore.

“Sunny Hill Festival” e ka vazhduar në edicionin e dytë, duke zbuluar tre emra me nam që do të ngjiten në skenën e ngritur në parkun e Gërmisë: Miley Cyrus, Calvin Harris dhe Gashi, raporton “Express” i KTV-së.

Dukagjin Lipa, drejtor i festivalit, thotë se qëllimi i “Sunny Hill” është të mbledhë audiencë nga gjithë regjioni dhe ta shpërfaqë një imazh tjetër të Kosovës.

Edicioni i dytë i “Sunny Hill”, do t’i bashkojë në skenë muzikantët botërorë me heronjtë lokalë.

Rep-këngëtari Gashi, i cili performoi edhe vitin e kaluar në “Sunny Hill”, rikthehet në Prishtinë për ta promovuar albumin e tij.

Një prej mbrëmjeve të festivalit, do t’i takojë Calvin Harris, krijuesit të hitit “One Kiss” në bashkëpunim me Dua Lipën.

“Sunny Hill Festival” do të mbahet nga data 2 deri më 5 të muajit gusht.