Kulturë

Shpresa dhe frika, temat e “Anibar”-it jubilar

Shpresa dhe frika si dy procese të pandashme të jetës së njeriut, janë tema kryesore të dekadës së parë të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”.

Edicioni më i ri i këtij festivali që tash e dhjetë vjet organizohet në qytetin e Pejës, trajton thellimin e indiferencës përballë sfidave që kërcënojnë jo vetëm qytetërimin por edhe ekzistencën njerëzore.

Trajnime profesionale të animatorëve të rinj, shtimi i punëtorive për krijimin e filmave të animuar, debate dhe shfaqja e filmave në pesë kategori do ta shënojnë këtë edicion të “Anibar”-it, raporton “Express” i KTV-së.

“Jeta është e lumtur kur njerëzit të lënë të qetë”, është njëri nga mesazhet e filmit të animuar “Matches” të regjisorit Geza Toth, i cili u shfaq në ceremoninë hapësë të festivalit bashkë me dy filma tjerë: “Mom’s Clothes” dhe “Ostrich politic”.

Nga ana tjetër, koordinatorja e programit të këtij edicioni, Arba Atashi, ka thënë se “Anibar” fton pjesëmarrësit ta trajtojnë frikën në llupën e së ardhmës me shpresë.

Angazhimi i të rinjve vullnetarë për zhvillimin e kësaj ngjarje artistike është krenari për qytetin e Pejës, thotë Gazmend Muhaxheri kryetari i komunës që njëherësh është mbështetës i “Anibar”-it.

Në ditën e dytë të festivalit do të fillojë shfaqja e filmave në garën e filmit të metrazhit të gjatë, për të vazhduar më pas në garën ndërkombëtare dhe atë studentore.